TAKIMI I RENDESISHEM/ Tirana sërish epiqendër rajonale – pret Samitin e planit të rritjes drejt BE-së

Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të rëndësishëm “Growth Plan – Our Pathway to EU”, i cili do të mbahet më 21 nëntor në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos.

Samiti synon të hapë një diskutim të gjerë mbi planin e rritjes ekonomike të rajonit, nxitjen e integrimit ekonomik dhe përshpejtimin e transformimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Tregut të Përbashkët Evropian.

Punimet do të nisin në orën 10:00, me fjalët hapëse të Kryeministrit Edi Rama dhe Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos. Sesioni hapës do të transmetohet drejtpërdrejt për publikun.

Më herët, në orën 09:30, pjesëmarrësit do të zhvillojnë deklaratat e shkurtra për mediat, ndërsa në orën 11:30 është parashikuar fotoja zyrtare familjare e Samitit.

Në përmbyllje, rreth orës 11:35, Kryeministri Rama dhe Komisionerja Kos do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Samiti cilësohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme rajonale të këtij sezoni, duke ofruar mundësi të reja bashkëpunimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve të BE-së në kuadër të procesit të zgjerimit.