SULMI/ Izraeli njofton se vrau 5 figura të larta të Hamasit për shkelje të armëpushimit – nga bombardimet ajrore në Gaza kanë humbur jetën 21 persona

Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 21 persona në Rripin e Gazës. Ushtria izraelite ka rinisur bombardimet vdekjeprurëse të enklavës palestineze që nga e mërkura. Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit, i cili u zbatua më 10 tetor nën presionin e SHBA-së pas dy vitesh lufte shkatërruese.

Të shtunën ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur objektivat e Hamasit në hakmarrje të sulmeve që u regjistruan ndaj tyre në pjesën jugore të enklavës. Sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 21 persona në Deir al-Bala dhe Nuseirat.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu tha se ushtria kishte vrarë pesë figura të larta të Hamasit, duke i akuzuar ata për shkelje të përsëritur të armëpushimit duke dërguar një terrorist në territorin e kontrolluar nga Izraeli.

Hamasi nga ana tjetër denoncoi shkeljet nga Izraeli, të cilin e akuzoi për zgjerimin e zonës nën kontrollin e tij në Rripin e Gazës përtej kufijve të rënë dakord sipas marrëveshjes së armëpushimit dhe për vazhdimin e bombardimeve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 312 palestinezë janë vrarë që kur armëpushimi hyri në fuqi, i cili është shoqëruar me disa shpërthime dhune.