REAGIMI/ Gara për Tiranën u mbyll pa mërzitur as Ramën as Berishën – Florian Binajt i hyn kandidimi në qejf: Unë do të kandidoj për kryebashkiak kurdo që të mbahen

Florjan Binaj ka reaguar pas vendimit të Kushtetueses që i jep të drejtë Erion Veliajt, e kështu ky i fundit rikthehet në krye të bashkisë së Tiranës. Ky vendim që nuk ka mërzitur as Ramën, por as Sali Berishën, i cili e konsideroi të drejtë mosshkarkimin ka sjellë një reagim të Florian Binajt. Ky i fundit ndonëse nuk dihet nëse e ka të konsultuar mendimin me partinë që e propozoi apo me kokë të vet, shprehet se tashmë i ka hyrë kandidimi në qejf e nuk do tërhiqet.

Reagimi:

“Për mua dhe për qytetarët e Tiranës thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim. Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë”, shkruan Binaj, i cili ishte kandidat i pavarur i mbështetur nga gjithë spektri opozitar.
“Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë këto ditë më kanë bindur se së bashku ne do t’ja dalim. Rrugëtimi ynë vazhdon. Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë”!