PERZGJEDHJA/ Mbyllet gara për “FBI” shqiptare – prokurorët e SPAK propozojnë Joni Ketën për drejtues të Byrosë Kombëtare

Zëvendësdrejtuesi dhe drejtuesi i komanduar i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta është propozuar nga treshja e prokurorëve të SPAK për të marrë drejtimin e “FBI-së” shqiptare. Gara 4 mujore është mbyllur dhe më datë 11 Dhjetor ai do të votohet.

Altin Dumani si kreu i Komisionit të Vlerësimit dhe dy anëtarët Arben Kraja e Behar Dibra, kanë rënë dakord që Joni Keta të jetë kandidati i propozuar zyrtarisht në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për të marrë drejtimin e BKH-së.

Zgjedhja është caktuar të mbahet më datë 11 Dhjetor dhe aty pritet të shihet nëse ai do të marrë votat e nevojshme nga anëtarët e qeverisë së prokurorëve, për detyrën, që gjithsesi e ka bërë për disa muaj si i komanduar.

Njoftimi zyrtar:

Komisioni i Përzgjedhjes përcakton kandidatin për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Komisioni i Përzgjedhjes për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në mbledhjen e tij të datës, 26.11.2025, në prani të përfaqësuesve të ICITAP dhe Bashkimit Europian, vendosi t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për emërim, në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, z.Joni Keta, për një mandat 5-vjeçar.