OPERACIONI/ Arrestohen 8 persona në Romë – mes tyre një shqiptar për 210 kg kokainë

Autoritetet italiane kanë kryer një operacion të madh anti-narkotik në kryeqytetin e Italisë këtë të enjte duke arrestuar 8 persona për dyshimin e trafikut të lëndëve narkotike. Operacioni u koordinua nga Drejtoria Rajonale Antimafia e Romës dhe u ekzekutua nga financiarët e Komandës Provinciale të kryeqytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, urdhri i paraburgimit u lëshua nga Gjykatësi për Hetime Paraprake dhe përfshin persona të dyshuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që kishte për qëllim trafikun e paligjshëm të drogës, kryesisht kokainës. Hetimet e kryera nga Grupi i Hetimit të Krimit të Organizuar (G.I.C.O.) zbuluan se grupi ishte drejtuar nga një shtetas shqiptar i vendosur në Holandë, i cili mbikëqyrte trafikun nëpërmjet platformave të koduara të mesazheve dhe vepronte brenda BE-së, përfshirë Italinë.

Sipas hetimeve, grupi kishte krijuar një qelizë në Romë me organizim hierarkik dhe funksional, e cila merrej me marrjen e ngarkesave nga korrierët, menaxhimin e depozitimeve dhe shpërndarjen e drogës në disa lagje të kryeqytetit, përfshirë Borghesiana, Pigneto, Spinaceto, Torre Spaccata, Alessandrino, Tor De Cenci, Finocchio, Capannelle dhe Tor Bella Monaca.

Për transportin e kokainës, përdoroheshin automjete të përgatitura me dyer të fshehta, me ndihmën e pronarit të një koncesionari lokal. Hetimet kanë zbuluar mbi 210 kg kokainë, nga të cilat 130 kg janë sekuestruar, me një vlerë tregtare prej rreth 1 milion eurosh, duke çuar edhe në arrestimin në flagrancë të 3 personave, një italian dhe dy shqiptarë.

Autoritetet theksojnë se masat paraprake janë marrë gjatë hetimeve fillestare dhe të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.