NDESHKIMI/ Ilir Proda shkarkon drejtorin e Policisë Korçë – nuk vepruan sipas ligjit në rastin e pengmarrjes në Korçë ku u përfshi dhe vëllai i deputetit Nallbati

Drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka shkarkuar Drejtorin e Policisë Korçë, Erion Ahmeti dhe pezullimin nga detyra të zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë e Policisë Korçë, Hajri Kushe deri në përfundim të hetimit disiplinor.

Gjithçka lidhet me marrjen peng të një 32-vjeçari nga vëllai i deputetit demokrat Bledion Nallbati, Alti Nallbati, në bashkëpunim me tre persona të tjerë.

Sipas Policisë së Shtetit, nga analiza e kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, ka rezultuar se zinxhiri drejtues i Policisë Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.

Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Vendor, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda.

Kujtojmë se një ditë më parë, Alti Nallbati, Marsel Buci, Trajan Çeliku u akuzuan se kanë rrëmbyer dhe kanë torturuar në banesën e njërit prej tyre, Ilir Topçiun në fshatin Vishocicë, i cili aktualisht ndodhej në ‘arrest shtëpie’.Njëri prej personave të akuzuar, Trajan Çeliku 37 vjeç rezulton me precedentë të mëparshme kriminale. Më datë 2 tetor të këtij viti ai u përfshi në një sherr ku dhe mbeti i plagosur me thikë.

Alti Nallbati dhe vëllai i tij deputet, Bledion Nallbati në maj të këtij dhunuan një shofer kamioni në qytetin e Bilishtit. Sipas dëshmive të tyre, kamioni ishte me shpejtësi dhe se për pak mund t’i aksidentonte.

Njoftimi i Policisë

Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa, për motive të dobëta, u mbajt për disa orë, si dhe ndaj tij u ushtrua dhunë fizike dhe u kanos për jetën, dhe pas një analize të kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.

Për sa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vendosur:

Shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti;

Pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda.

Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Vendor, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional dhe në përputhje me ligjin nga punonjësit e saj, duke marrë masa ndëshkimore bazuar në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në Rregulloren e Policisë.