MBYLLET NUMERIMI/ Pas balotazhit LDK fiton Prishtinën dhe 6 komuna – Vetëvendosja fiton 7 komuna, PDK 6 dhe AAK 5

Mbështetësit e Përparim Ramës, kryebashkiakut aktual të Prishtinës dhe kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe për një mandat të dytë për të drejtuar kryeqytetin, dolën menjëherë për të festuar fitoren e tij, pas publikimit të rezultatit të balotazhit të zgjedhjeve lokale që u zhvillua këtë të dielë, 9 nëntor, në 18 komuna.

Numërimi u mbyll në të gjitha komunat për pak më shumë se 2 orë.

Përparim Rama fitoi me 51.5% të votave, 3% më shumë se rivali i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku. Mes mbështetësve që festonin, Rama shprehu bindjen se shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë.

“Kryeqyteti është zemra e gjithë Kosovës, prandaj kushdo që vjen në nivel qendror duhet të jetë bashkëpunues, e unë nuk kam dyshim që edhe 1 muaj e gjysmë do ta kemi Lumirin kryeministër.”

Në këtë raund, LDK fitoi edhe në Pejë, Viti, Dragash e Junik, duke e çuar në 7 në total numrin e komunave të fituara, përfshirë edhe raundin e parë të 12 tetorit (Fushë-Kosovë).

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, festoi me mbështetësit e Vetëvendosjes së drejtuar prej tij në Fushë-Kosovë, një nga 4 komunat e siguruara në këtë raund nga kjo parti, krahas Mitrovicës së Jugut, Obiliqit dhe Gjilanit, që e çojnë në 7 edhe numrin e komunave të siguruara në total nga Vetëvendosja në këto zgjedhje.

“Meqenëse në të gjitha këto raste të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër Vetëvendosjes, ky është një sukses i Vetëvendosjes dhe i qytetarëve.”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi 4 komuna të tjera, Gjakovën, Rahovecin, Suharekën dhe Klinën, duke e çuar në 5 totalin e komunave, përfshirë edhe raundin e parë.

3 komuna të tjera u siguruan nga PDK në këtë balotazh, një nga partia turke dhe një nga Lista Serbe.

Krahasuar me zgjedhjet lokale të 4 viteve më parë, rritjen më të madhe e ka Vetëvendosja që ka 3 komuna më shumë.