Teksa numri i viktimave nga uragani “Melissa” po rritet nga ora në orë, banorët e qytetit bregdetar Black River po përballen me ditë të tmerrshme, pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm, raporton BBC.
Të mbijetuarit tregojnë se ende nuk kanë parë asnjë kamion ndihme që të ketë mbërritur në zonë, ndërsa përpiqen të sigurojnë ushqim duke kërkuar nën rrënojat përgjatë rrugëve të qytetit, rreth 150 kilometra në perëndim të Kingstonit.
Disa banorë janë detyruar të hyjnë në supermarketet e shkatërruara, për të marrë çfarë mundin për të mbajtur veten dhe familjet e tyre.
Pamje rrëqethëse tregojnë njerëz që ngjiten mbi çatitë e tregjeve të dëmtuara, duke hedhur poshtë shishe uji dhe pako ushqimi, ndërsa turma poshtë i pret me duart e shtrira.
“Situata këtu është kaos, një kaos absolut. Pa ushqim. Pa ujë,” rrëfen një grua që qëndron mbi një grumbull rrënojash.
Një tjetër banor shton me lot në sy: “Nuk kemi para. Kemi nevojë për ndihmë. Asnjë ndihmë nuk ka ardhur.”
Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë në zonat më të izoluara, ku dëmet nga uragani janë shkatërrimtare.
Stuhia ka shkaktuar përmbytje në Xhamajkë dhe ka lënë mbi 500 mijë banorë pa energji elektrike. Kryeministri xhamajkan, Andrew Holness, tha se stuhia ka dëmtuar spitale, shtëpi banimi dhe biznese, si dhe ka shkaktuar dëme në infrastrukturën rrugore.
Holness tha se qeveria nuk kishte marrë ende njoftime për ndonjë vdekje të konfirmuar nga stuhia, por duke pasur parasysh fuqinë e uraganit dhe shkallën e dëmeve, “presim që mund të ketë humbje jete”.
Meteorologët nga AccuWaether kanë thënë se Melissa është uragani i tretë më i fuqishëm që ka goditur Karaiben, pas Wilmas më 2005 dhe Gilberit më 1988 – që ishte stuhia e fundit e madhe që kishte goditur drejtpërdrejt Xhamajkën.
Shkencëtarët thonë se uraganet po forcohen më shpejt dhe po bëhen më të shpesht si pasojë e ngrohjes së ujërave të oqeanit të shkaktuar nga emetimet e gazeve serrë. Shumë liderë të Karaibeve u kanë bërë thirrje vendeve të pasura, që janë ndotës më të mëdhenj, të ofrojnë reparacione në formën e ndihmës ose lehtësimit të borxhit për ishujt tropikalë.
Erërat e uraganit Melissa u dobësuan teksa stuhia kaloi mbi malet e Xhamajkës, duke goditur komunitetet malore të cenueshme ndaj rrëshqitjeve të tokës dhe përmbytjeve.
“Shteti ynë është shkatërruar nga uragani Melissa, por ne do ta rindërtojmë dhe do ta bëjmë këtë edhe më mirë se më parë,”, tha kryeministri Holness mëngjesin e së mërkurës.









