Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves është takuar këtë të enjte me presidenten, Vjosa Osmani. Hargreaves përmes një postimi në “Facebook” shkruan se në takim ka shprehur shqetësimin për dështimin e partive politike për të rënë dakord në lidhje me buxhetin.
Sipas tij ata gjithashtu kanë diskutuar edhe për shpërbërjen e Kuvendit, zgjedhjet e reja si dhe për fushatën që do të zhvillohet.
“Shpresojmë për një fushatë zgjedhore të qetë dhe pozitive. Shpreha shqetësim për dështimin e partive politike për të rënë dakord për një zgjatje të buxhetit, Planin e Rritjes së BE-së dhe marrëveshjet e financimit të Bankës Botërore, të cilat do t’i sillnin dobi popullit të Kosovës”, shkruan ai.
Ambasadori gjithashtu ka bërë të ditur se pret bashkëpunim nga partitë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, derisa u shpreh se Kosova nuk mund të humbë kohë.









