Fatos Nano bën bashkë politikanët shqiptarë!
Arben Malaj-Fatmir Mediut dhe Agron Duka
Disa nga figurat politike të njohura shqiptare, Agron Duka, Fatmir Mediu dhe Arben Malaj, kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në fashën e orarit të rezervuar për homazhet e figurave politike në Pallatin e Kongreseve, duke vendosur të bashkohen me qytetarët që po japin lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano.
Arben Malaj, ish-ministër dhe një nga besnikët e afërt të Nanos, është përkulur me respekt para arkëmortit me trupin e pajetë të ish-kryeministrit.
Jashtë ambienteve të Pallatit të Kongreseve ai e përshkroi Nanon si një model inspirimi për politikën shqiptare. Ai theksoi se Nano ishte mendjehapur, liberal dhe gjithmonë i fokusuar te nevojat më të domosdoshme të Shqipërisë.
Sipas Malajt, qeverisja e Nanos synonte të ndërtonte paqen dhe të siguronte hapësira për përfaqësimin edhe të opozitës, duke e bërë atë një figurë të veçantë dhe një shembull që duhet të respektohet edhe pas largimit nga jeta.
“Si një model inspirimi. Ishte mendjehapur, liberal dhe u fokusua te gjëja që kishte më të domosdoshme Shqipëria. Qeverisja e tij ishte e drejtuar në këtë drejtim. Për të ndërtuar paqe, duke lënë hapësira përfaqësimi edhe për opozitën. Është një model i veçantë dhe të mendojmë që do të respektohet”, tha Malaj.
Ndërkohë, Fatmir Mediut theksoi se ish-kryeministri ka qenë një ndër politikanët, virtyti i të cilit ishte “toleranca”.
“Para se të flisje me të duhet të mendoje thellë dhe kontribute në të gjithë jetën politike. Asnjë nuk ishte perfekt, por Nano kishte tolerancë që pak politikanë e kanë”, tha ai.









