Spektakël i vërtetë në pistën legjendare të Interlagos! Lando Norris fitoi Sprint Race të Çmimit të Madh të Brazilit, duke mbrojtur me sukses “pole position”-in dhe duke shtuar diferencën në renditjen e kampionatit ndaj rivalit të tij kryesor, Oscar Piastri, i cili u detyrua të tërhiqej pas një aksidenti në xhiron e gjashtë.
Piloti britanik i McLaren-it udhëhoqi garën që nga starti, duke mbajtur pas një Andrea Kimi Antonelli mbresëlënës në Mercedes, i cili siguroi vendin e dytë dhe podiumin e parë në karrierë.
Podiumin e plotësoi George Russell, ndërsa Mercedes-i shënoi një rezultat të shkëlqyer me dy makinat në “top 3”.
Ngjarja më e madhe ndodhi në xhiron e gjashtë, kur Piastri humbi kontrollin në kthesën e tretë, pasi preku pjesën e lagësht, duke u përplasur në mur.
Incidenti përfshiu gjithashtu Hulkenberg dhe Colapinto, çka solli menjëherë flamurin e kuq.
Pas rifillimit, Verstappen ruajti vendin e katërt, ndërsa Leclerc, me një ritëm të mirë, arriti ta kalonte Alonson dy xhiro para fundit, duke e mbyllur në vendin e pestë.
Ferrari shfaqi shenja përmirësimi, me Leclerc të pestin dhe Hamilton të shtatin, mes tyre Alonso në vendin e gjashtë.
Në zonën e pikëve hyri edhe Pierre Gasly me vendin e tetë.
Norris, me këtë sukses, e çon diferencën në +9 pikë ndaj Piastrit në renditjen e përgjithshme, ndërsa Antonelli konfirmon potencialin e tij të madh në skenën e madhe të Formula 1.
Gara e nesërme pritet të jetë edhe më e zjarrtë në Interlagos.









