Gilmando Dani mbeti viktimë e atentatit të pasdites së kësaj të marte në rrethrrotullimin në afërsi të Aeroportit të Rinasit, ndërsa mësohet se 47-vjeçari sapo kishte mbërritur në Shqipëri, pasi ndodhej në Barcelonë.
Sipas të dhënave në Aeroportin e Rinasit, avioni me të cilin udhëtonte Gilmando Dani, ka zbritur në tokën shqiptare në orën 13:55, pra rreth 35 minuta para kohës së parashikuar.
Në Aeroport mësohet se e priste miku i tij, Muçi Sheqeri alias Shaljani i cili ka mbetur i plagosur nga sulmi me armë zjarri. 40-vjeçari aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burime për mediat bëjnë me dije se automjeti me të cilin po udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Sheqeri alias Shaljani rezulton të jetë në pronësi të Elvis Kosovës, një emër jo i panjohur për Policinë.
Jo më larg se verën e këtij viti, atij iu vendos një sasi lënde plasëse në portën hyrëse të garazhit të tij në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë.
Kush është Gilmando Dani, 47-vjeçari që vdiq sot në atentat:
47-vjeçari është një emër i njohur për drejtësinë dhe autoritetet e zbatimit të ligjit në Shqipëri, për shkak të marrëdhënieve të forta shoqërore me Emiljano Shullazin, si anëtar i grupit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i këtij të fundit.
Viktima, mik i një prej eksponentëve më të lartë të krimit në Tiranë, Emiljano Shullazi, udhëtonte si pasagjer në një mjet luksoz Mercedes Benz S Class me një mikun e tij, i cili ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital.
Autorët raportohet se kanë qenë në një makinë me targa greke dhe kanë hapur zjarr me breshëri kallshanikovi nga ana e djathtë e mjetit, pasi Gilmando Dani ndodhej në vendin e parë si pasagjer. Nga breshëria, plumbat kanë përshkruar dhe anën tjetër, duke prekur dhe shoferin.
Ky nuk është atentati i parë ndaj Gilmando Danit, të paktën nga ngjarjet që janë bërë publike, pasi në Janar 2015 ai është tentuar të vitet në mes të Tiranës.










