E RALLE/ Mahniten shkencëtarët – zbulojnë brenda Shpellës së Squfurit në Sarandapor të Leskovikut, ‘qytetin’ nëntokësor të merimangave.

Shkencëtarët kanë zbuluar rrjetën më të madhe të merimangave në botë, e cila ndodhet pikërisht në Shpellën e Squfurit në Sarandapor të Leskovikut.

Rrjeta ka përmasa deri në 100 metra katrorë. Në këtë mbretëri fijesh të holla, gjenden mbi 100 mijë merimanga të dy llojeve të ndryshme: 69 mijë Tegenaria domestica dhe 42 mijë Prinerigone vagans.

Është rasti i parë i dokumentuar i një formacioni të vërtetë prej një kolonie nga dy lloje, thotë ekipi i araknolohëve nga Sapientia Hungarian University në Transilvani.

Merimangat që jetojnë në shpellë nuk kanë vetëm sjellje të ndryshme, por edhe ndryshime gjenetike nga ato që jetojnë në sipërfaqe të hapura, duke treguar se po i përshtaten habitatit të izoluar.

Në Shpellën e Squfurit ka një rrjet me dhoma prej guri gëlqeror. “Megaqyteti” i merimangave u zbulua për herë të parë në vitin 2022 dhe më pas u njoftuan shkencëtarët.

Këta të fundit realizuan disa ekspedita në shpellë për të studiuar habitatin. Nuk është vetëm madhësia e rrjetës pasi muret e shpellës ishin të mbuluara me të, por bashkëjetesa. Edhe pse të dyja llojet e merimangave janë shumë të përhapura, nuk janë parë kurrë të jetojnë në koloni, e jo më në paqe pranë njëra-tjetrës.

Rrjeta gjigante ka mijëra rrjeta individuale në trajtë hinke që mbivendosen dhe ndërlidhen me njëra-tjetrën.

Gjenetika, mikrobioma dhe analiza e izotopeve treguan se fijet e rrjetës i ndalin nga të afërmit e tyre që jetojnë në sipërfaqe dhe nuk ka shenja të shkëmbimit mes popullatave. Izolimi ka ndryshuar gjenet dhe florën e zorrëve të tyre. Kolonia duket plotësisht e shkëputur nga bota e jashtme.

Sa i përket ushqimit, ato nuk hanë insekte që mund të zvarriteshin në shpellë, por insekte që kishin lindur aty.

Merimangat mund të mos duken si një thesar, por për shkencën, kjo shpellë është një mrekulli. Është shembull unik që tregon se merimangat që jetojnë në sipërfaqe mund t’i përshtaten një sistemi të tillë jetese, të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe të tregojnë se jeta e gjen gjithnjë një mënyrë, edhe në një shpellë të errët. Ndonjëherë, thur edhe një rrjetë.