DEKRETIMI I DATES/ Reagon Kurti – mirëpret mbajtjen e zgjedhjeve më 28 dhjetor

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mirëpritur 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve duke thënë se dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë.

Sipas Kurtit, “ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote”.

Ai ka thënë se duhet të sigurohen që institucionet shtetërore të kenë kohë të mjaftueshme për të gjitha përgatitjet e nevojshme.

“Që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presim”.

Të enjten, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përjashtuar mundësinë që zgjedhjet të mbahen në muajin janar, duke deklaruar se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të zhvillohen më 28 dhjetor.

Kosova është zhytur në krizë të thellë që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat janë mbajtur para pothuajse dhjetë muajsh, derisa vendi rrezikon jo vetëm regres të mëtejshëm institucional, por edhe pasoja ekonomike dhe sociale.

Një varg vëzhguesish politikë dhe përfaqësuesish të spektrit politik kanë paralajmëruar se skenari i përsëritjes së zgjedhjeve mund të bëhet realitet edhe në pranverën e vitit 2026 — kohë kur i përfundon mandati aktual edhe presidentes Osmani.