Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga mbrëmja ceremoniale e çeljes së dyerve të Misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian. Të pranishëm në ceremoni ishin komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos dhe kryeministri Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri ka falenderuar të gjithë të pranishmit për punën e tyre.
Kryeministri Edi Rama: Dikur, kur vinim, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe binte shi e bënte ftohtë brenda. Tashmë është ndryshe. Çfarëdo të ketë jashtë, brenda bën ngrohtë dhe është plot energji pozitive, fytyra pozitive dhe buzëqeshje të këndshme. Nuk jemi mësuar me këtë, Marta, ndaj është e jashtëzakonshme më në fund ta përjetosh këtë gjë, që është e vazhdueshme gjatë gjithë vitit dhe po bëhet e përhershme. Dua t’ju falënderoj të gjithëve sinqerisht që jeni këtu dhe të falënderoj sinqerisht e me gjithë zemër për punën secilin prej jush.

Ndërkohë Ambasadori i Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, Ferit Hoxha deklaroi: Është shumë komode për mua të mbroj kauzën e Shqipërisë sot, sepse përfaqësoj një vend e shoqëri që kurrë nuk e ka humbur besimin tek Europa, një qeveri me një përkushtim të patundur politik ndaj BE-së dhe e gatshme të shfrytëzojë çdo sekondë.
Komisionerja Marta Kos deklaroi se vendi ynë ka shënuar përparim dhe shtoi se BE është shtëpia e re e shqiptarëve. Ajo shprehet se e ndjen veten si ambasadore të katërt të Shqipërisë në Bruksel, ndërsa theksoi se Shqipëria ka bërë përparim gjigant.
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos: E ndjej veten… ndjesë, si ambasadoren e katërt të Shqipërisë këtu në Bruksel. Po ju po jepni rezultate. Arsyeja e dytë është se ju nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat. Nuk jua shpreh dot sa e lumtur jam kur kam mundësi të shpjegoj me fakte që ju keni bërë një përparim vërtet gjigant dhe është e gjitha falë punës suaj.
Më pëlqen gjithnjë ta theksoj, nuk ka asnjë proces anëtarësimi pa një udhëheqje të përkushtuar, që nuk i kthehet së shkuarës duke kërkuar të gjejë justifikime se pse diçka është e pamundur, por ju keni një udhëheqje ose keni një udhëheqës, i cili sheh nga e ardhmja që të shquajë apo të kërkojë arsyet e përgjigjet se pse diçka është e mundur. Ky është dhe do thoja mos më citoni, ky është një nga dallimet më të mëdha midis Shqipërisë dhe disa shteteve të tjera nga Ballkani Perëndimor. Sigurisht, i dashur Kryeministër, i dashur Edi, e kam fjalën për ju dhe do ta mbyll duke thënë: “Kjo është shtëpia juaj e re”. Detyra ime është t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë.
“MIRËMËNGJES dhe me mbrëmjen ceremoniale të çeljes së dyerve të godinës së Misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, në vigjilje të hapjes së grupkapitullit të fundit të negociatave të anëtarësimit sot në mëngjes, ju uroj të gjithëve një javë të mbarë,”shkruan Rama në Facebook









