BUXHETI RREZIKON EKONOMINË/ Presidentja kërkohet të veprojë, VV gati për zgjedhje

Ngërçi politik në Kosovë po pengon miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Bizneset paralajmërojnë pasoja ekonomike, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kërkon formimin e qeverisë përmes mandatit të Glauk Konjufcës. Nëse kjo përpjekje dështon me datë 19, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të rej

Situata politike në Kosovë vijon të jetë e tensionuar mes palëve

Ndërsa kryeministri në detyrë Albin Kurti, është në kërkim të 5 votave, për të formuar qeverinë e re, institucionet përballen me pasoja financiare.

Mosmiratimi i buxhetit të Kosovës mund të sjellë pasoja të rënda për ekonominë e vendit. Kështu ka paralajmëruar kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i cili kërkon angazhim më të madh nga Presidentja e vendit për të zhbllokuar situatën politike dhe për të mundësuar miratimin e buxhetit.

“Mosmiratimi i buxhetit është çështje shumë e ndërlikuar dhe mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë. Presidentja duhet të angazhohet që të krijohet një qeveri funksionale dhe të procedohet buxheti.”

Por në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje thotë se po përpiqet të shmangë zgjedhjet e reja përmes kandidimit të Glauk Konjufcës për kryeministër.

“Interesi i Kosovës është të ketë qeveri dhe të kalojë buxheti. Nëse Konjufca nuk arrin ta formojë, atëherë jemi gati të shkojmë në zgjedhje, por qytetarët duhet të dinë se ne ofruam zgjidhje.”

Presidentja Vjosa Osmani tashmë e ka mandatuar Konjufcën, i cili më datë 19 nëntor, duhet të provojë nëse i ka gjetur apo jo 61 votat e nevojshme për të formuar qeverinë e re.

Nëse dështon edhe kjo përpjekje, Kosova pritet të përballet me zgjedhje të reja në fund të vitit, ndërsa buxheti mbetet i bllokuar dhe ekonomia në pritje.

Nëse Kosova shkon në zgjedhje më datë 28 dhjetor, për analistët kjo është në favor të Albin Kurtit, pasi ardhja e emigrantëve për festa mund të përkthehet në votë për kryeministrin në detyrë