AVANCIMI/ Mjegulla “favorizon” ushtrinë ruse – pushtojnë territor në qytetin strategjik, Pokrovsk! Ukrainasit në vështirësi

Mjegulla e dendur ka ndihmuar forcat ruse të avancojnë në qytetin strategjik të Pokrovskut, duke vështirësuar mbrojtjen ajrore të ushtrisë ukrainase. Rusia po përdor taktika infiltrimi për të rrethuar zonën.

Kushtet e motit kanë ndihmuar ushtrinë ruse të intensifikojë përpjekjet për të futur më shumë trupa në ukrainë.

Mjegulla e dendur bëri që forcat të avancojnë më tej në qytetin strategjik të Pokrovskut, në lindje të vendit.

Një pilot droni ukrainas i Brigadës së 68-të, me emrin e koduar Goose, tha se për disa ditë rresht e kanë pasur shumë të vështirë vëzhgimin ajror.

“Pikërisht për këtë arsye rusët guxuan të sulmonin me një kolonë makinash diçka që normalisht do të shkatërrohej menjëherë nga dronët tanë,” tha ai.

Rusia po përpiqet të marrë kontrollin e këtij territori prej më shumë se një viti.

Ushtria ukrainase vlerëson se aktualisht në qytet ndodhen rreth 300 deri në 500 ushtarë rusë, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky ka pranuar se situata mbetet shumë e vështirë.

Rusia po tenton të rrethojë përveç Pokrovskun edhe qytetin fqinj Myrnohrad.

Sipas analistëve Rusia po përdor taktikën e infiltrimit, duke dërguar grupe të vogla ushtarësh në terren për të goditur rrugët logjistike të forcave ukrainase.

Në disa raste, këta ushtarë maskohen si civilë apo madje si ushtarë ukrainas për të krijuar kaos përpara se të hyjnë forcat kryesore ruse.

Ndërkohë, Moska po shton presionin edhe në drejtime të tjera të frontit në verilindje dhe në Zaporizhia në jug.