Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me atentatin mafioz të ndodhur mesditën e sotme pranë rrethrrotullimit në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë një tjetër person.
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:20 ku viktimë ka mbetur Gilmando Dani dhe është plagosur rëndë Muçi Shaljani (Sheqeri) rreth 40 vjeç.
Muçi Shaljani (Sheqeri) raporotohet se ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetsore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se autorët janë larguar menjëherë pas ngjarjes me një automjet tip Toyota me targa greke, i cili po kërkohet nga policia.
Ndërkohë është raportuar se një mjet është djegur në fshatin Halil, në Krujë.
Forca të shumta policie ndodhen në zonë, ndërsa është ngritur një grup hetimor për zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve.
Rinas/Informacion paraprak
Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetsore.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Po kush është Gilmando Dani?
Dani ka qenë një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, që vepronte për llogari të Emiliano Shullazit.
“Disa vite më parë është dënuar nga Gjykata për Krime të Rënda si pjesë e një grupi që vinte gjoba biznesmenëve në Tiranë, grup i cili drejtohej nga Emiliano Shullazi”, tha gazetarja Klodiana Lala.
Gilmando Dani la qelinë e burgut rreth një vit e gjysmë më parë, pasi shleu të gjithë dënimin në lidhje me pjesëmarrjen në këtë grup të strukturuar kriminal.
Po ashtu, gazetarja Lala tha se “Që nga koha kur Emiljano Shullazi ndodhet në burg, mësohet se Gilmando Dani kishte marrë drejtimin e grupit kriminal”.
Ndaj Danit është bërë atentat dhe dy herë më parë, por mbeti i plagosur. Ngjarjet ndodhën në vitet 2011 dhe në 2015.
Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg në nëntor të vitit 2018 si pjesë e grupit të Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Ai u lirua ne 6 tetor 2024.









