AKUZA E FORTE/ Zohran Mamdani kryebashkiak i New York – Trump paralajmëron: Demokratët po çojnë Amerikën drejt komunizmit! Do emigroj drejt Miami-t

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sulmuar kryetarin e sapozgjedhur të bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, duke lënë të kuptohet se politikat që ai ka premtuar pasqyrojnë plotësisht qëndrimet e Partisë Demokrate në Kongres.

“Nëse doni të shihni çfarë duan të bëjnë Demokratët në Amerikë, mjafton të hidhni një vështrim në rezultatet e zgjedhjeve të djeshme në Nju Jork, ku partia e tyre vendosi një komunist në krye të qytetit më të madh të vendit,” tha Trump gjatë fjalës së tij në American Business Forum, që po zhvillohet në Majami.

Këto ishin komentet e para të Trump-it për kryebashkiakun e ri të Nju Jorkut, i cili ka deklaruar se ende nuk ka marrë as telefonatën tradicionale urimi nga Shtëpia e Bardhë.

Vetëm pak ditë më parë, Trump kishte shprehur mbështetje për kundërshtarin e Mamdanit, demokratin Andrew Cuomo, “me gjysmë zemre”, siç e cilësoi vetë, duke shtuar se e bëri këtë vetëm për të shmangur zgjedhjen e 34-vjeçarit me origjinë myslimane.

Trump shkoi edhe më tej në kritikat e tij, duke parashikuar se Majami do të kthehet në “strehë të sigurt për ata që nuk do të duan të përballojnë politikat e reja të Nju Jorkut”.

“Demokratët janë aq ekstremë sa Majami do të bëhet së shpejti një vendstrehim për ata që ikin nga komunizmi i Nju Jorkut,” tha presidenti, duke shtuar me ironi se “ndoshta edhe vetë do të jem një nga këta ‘refugjatë’”.

“Unë jetoj në Nju Jork, por po përpiqem të largohem. Nuk dua të jetoj nën një regjim komunist,” shtoi ai.

Në fjalimin e tij përpara audiencës entuziaste, Trump kujtoi edhe deklaratat e tij të mëparshme: “Ju kujtohet kur thoja se kurrë nuk do të zgjidhej një socialist në ndonjë post në vendin tonë? Tani duket se kemi kapërcyer socialistët dhe kemi futur komunistët në vend të tyre.”

Sipas tij, “komunizmi nuk ka funksionuar askund në botë, mjafton të shikoni pas 1.000 vite. Po të kishte funksionuar, do ta kishim përdorur edhe ne”.

Më herët të mërkurën, në deklaratat nga Shtëpia e Bardhë, Trump shmangu çdo referencë të drejtpërdrejtë për fitoren e Mamdanit, por përsëriti mesazhin e tij politik: “Pas rezultateve të mbrëmshme, zgjedhja për amerikanët është më e qartë se kurrë: mes komunizmit dhe arsyes së shëndoshë. Dhe për sa kohë që unë jam në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen kurrë një vend komunist.”