Kreu i SPAK, Altin Dumani, teksa raportonte veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2024 në Kuvendin e Shqipërisë, ka deklaruar se trafiku i drogës ruan një nivel shumë të lartë rreziku ndërsa theksoi se trafikimi i qenieve njerëzore klasifikohet në nivel mesatar rreziku me potencial rritjeje.
Altin Dumani u shpreh se grupet kriminale në Shqipëri vijojnë të jenë aktive në trafikimin e kokainës dhe kanabisit ndërsa theksoi se ka pasur mjaft operacione të suksesshme të SPAK në goditjen e këtyre grupeve.
“Trafiku i narkotikëve ruan një nivel shumë të lartë rreziku megjithëse në 2024 ka një ulje të lehtë që lidhet me goditjet e suksesshme të agjencive ligjzbatuese dhe zhvendosjen e korridoreve të trafikut. Trafikimi i qenieve njerëzore klasifikohet me nivel mesatar rreziku por me potencial rritjeje për shkak të natyrës së këtij aktiviteti kriminal.
Lidhur me tipologjinë e grupeve kriminale me ndikim në Shqipëri vijojnë të jenë aktive në trafikimin e lëndëve narkotike, kokainës dhe kanabisit. Këto grupe ushtrojnë aktivitetin e tyre në Spanjë, Itali, Belgjikë, Holandë e Gjermani, Zvicër e Mbretëri e Bashkuar.
Sigurojnë blerjen e kokainës në vendet e prodhimit në Amerikën Latine, Bolivi, Peru, Paraguaj, Ekuador etj. Grupet kriminale me ndikim në Shqipëri janë gjithashtu të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimit kibernetik që janë pjesë e tregjeve ndërkombëtare të BE.”-tha Dumani.









