TRAGJEDIA NE KORÇE/ Shtohen viktimat në familjen ku banesa u përfshi nga flakët – pas nënës ndërron jetë edhe djali i saj 14 vjeç – Rëndë fëmija tjetër

Një ngjarje tragjike ka tronditur mbarë opinionin publik, ku pas një zjarri të rënë në një banesë në Maliq ka humbur jetën nga asfiksia nëna Merjeme Azizllari dhe djali i saj i madh 14 vjeç, L. Azizllari ndërsa në gjendje të rëndë është edhe fëmija tjetër vetëm 6 vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të diele (19 tetor) rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq.

Fillimisht u raportua se nëna dhe dy fëmijët e saj kishin mbetur të plagosur, por më pas u mësua se gruaja, Merjeme Azizllari kishte ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë brenda në shtëpi.

Më vonë, ndërroi jetë në spital edhe djali i saj i madh, 14 vjeç, ndërsa në gjendje të rëndë si pasojë e djegieve vazhdon të jetë fëmija i vogël 6 vjeç.

Nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa shërbimet zjarrfikëse dhe policia ndodhen në vendngjarje për të shuar zjarrin dhe nisur hetimet mbi rrethanat e incidentit.

Në vijim të informacionit të dhënë më parë, lidhur me zjarrin e rënë në banesën e shtetasit V. A., në bllokun nr. 3, Maliq, ju informojmë se:

Si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë dhe 14-vjeçari, ndërsa 6-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.