SUDANI NE KAOS/ Përshkallëzohet lufta civile – RSF merr kontrollin e El Fashës pas 18 muajsh rrethim 

Në Sudan, qyteti el-Fasher është marrë nën kontrollin e forcave RSF, duke bllokuar qindra mijëra civilë dhe përkeqësuar krizën humanitare. OKB dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë ndërhyrje urgjente.

Në Sudan, qyteti el-Fasher i Darfur po përballet me një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës civile, pasi forcat militante RSF kanë marrë kontrollin e bazës kryesore të ushtrisë sudaneze.

Kjo e fundit ende nuk e ka pranuar humbjen, por marrja e këtij bastioni do të ishte një fitore strategjike për RSF.

Qindra mijëra civilë janë të bllokuar brenda qytetit El-Fasher i cili ka qenë i rrethuar për më shumë se 18 muaj.

OKB bën thirrje për ndërhyrje të menjëhershme për sigurinë e civilëve të rrezikuar nga mungesa e ushqimit, ujit dhe kujdesit shëndetësor.

Tom Fletcher, tha se situata është alarmante dhe kërkoi që civilët të kenë akses të sigurt për të shpëtuar jetët e tyre.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të njëjtën gjë, duke u përpjekur të ndërmjetësojnë një armëpushim.

Lufta civile në Sudan do të vazhdojë, duke thelluar krizën humanitare që tashmë ka shkaktuar më shumë se 150,000 të vdekur dhe 12 milion të zhvendosur brenda vendit.

Situata mbetet brishtë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për veprime urgjente humanitare.