SHIFRAT ZYRTARE/ Bilanc i dhimbshëm viktimash – mbi 66 mijë palestinezë kanë humbur jetën prej luftës në Gaza

Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka njoftuar se numri i palestinezëve të vdekur prej luftës në Gaza i ka kaluar 66 mijë, ndërsa takimet ndërkombëtare për një armëpushim janë intensifikuar.

Ky lajm vjen pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pranoi planin amerikan për Gazën, që ka si synim ndërprerjen e ofensivës.

Megjithatë, zyrtarët arabë kanë lënë të hapur mundësinë se ky plan mund të ndryshojë në disa pika të tij, ndërsa një përfaqësues i Hamas-it ka deklaruar se grupi është i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim.

Kriza humanitare në Gaza

Spitalet lokale raportuan të paktën dhjetë të vdekur së fundmi pas disa sulmeve që goditën kampin e refugjatëve Nuseirat. Ministria e Shëndetësisë bën me dije po ashtu se 168 162 persona janë plagosur që nga fillimi i luftës, me rreth 50% të tyre që janë gra dhe fëmijë.

Shumë qytetarë raportuan shpërthime të pandërprera gjatë natës së shkuar, 30 shtator, të shkaktuara nga shpërthime të kontrolluara për prishjen e ndërtesave.

Forcat izraelite njoftuan se kanë goditur 140 objektiva ushtarake të Hamas-it, përfshirë militantë, pajisje vëzhgimi dhe infrastrukturë.

Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë dhe ka shkaktuar një krizë humanitare katastrofike, me qytetarët që përballen me urinë dhe mungesën e shërbimeve bazë.

Presioni ndërkombëtar mbi Netanyahu-n

Netanyahu ka marrë paralajmërime për të ndërprerë ofensivën, ndërsa disa shtete perëndimore e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez, duke sfiduar qëndrimin e Izraelit. Bashkimi Europian po shqyrton mundësinë e sanksioneve, ndërsa po rriten thirrjet për bojkot sportiv dhe kulturor ndaj Izraelit.