SFIDIMI/ Putin paralajmëron Uashingtonin: Sanksionet e SHBA të pavlefshme. Nëse Rusia sulmohet, përgjigjja do të jetë shkatërruese!

Presidenti rus Vladimir Putin reagoi për herë të parë ndaj sanksioneve të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, duke i quajtur ato “akte armiqësore” që nuk do të kenë asnjë ndikim në ekonominë e vendit të tij.

“Sanksionet nuk do të ndikojnë në stabilitetin tonë ekonomik. Ato janë përpjekje të kota për të ushtruar presion mbi Rusinë,” deklaroi Putin në një fjalim në Shoqërinë Gjeografike Ruse në Moskë, duke shtuar se “dialogu është gjithmonë më i mirë se lufta.”

Kreu i Kremlinit paralajmëroi se në rast të ndonjë sulmi me raketa Tomahawk mbi territorin rus, reagimi i Moskës “do të jetë i fuqishëm, serioz dhe shkatërrues.” Ai theksoi se Rusia nuk do t’i nënshtrohet kurrë presionit të jashtëm dhe se “asnjë vend që respekton veten nuk vepron nën diktat.”

Putin gjithashtu komentoi anulimin e samitit me Donald Trump në Budapest, duke theksuar se propozimi për takimin kishte ardhur nga SHBA-të. “Besoj se Trump, kur foli dje në Shtëpinë e Bardhë, kishte parasysh që samiti ishte thjesht shtyrë,” shtoi ai.

Në fjalimin e tij, Putin paralajmëroi gjithashtu për pasoja në tregjet globale të energjisë, duke thënë se zëvendësimi i naftës ruse “do të kërkojë kohë dhe do të çojë në rritje të ndjeshme të çmimeve.”

Deklaratat e tij vijnë ndërsa Uashingtoni ka njoftuar sanksione të reja kundër kompanive kryesore ruse të energjisë, përfshirë Rosneft dhe Lukoil, me synim izolimin ekonomik të Moskës. Efektet e para kanë filluar të ndihen tashmë, pasi gjigantët shtetërorë të energjisë në Kinë – PetroChina, Sinopec, CNOOC dhe Zhenhua Oil – kanë ndalur ose reduktuar blerjet e naftës ruse, nga frika e penaliteteve dytësore amerikane.

Pavarësisht kësaj, Putin theksoi se Rusia mbetet e gatshme për dialog me SHBA-në, duke theksuar se “të dy vendet kanë ende shumë fusha ku bashkëpunimi është i domosdoshëm.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.