Ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, tashmë deputet i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni është shprehur se me vrasjen e mikut dhe kolegut të tij Astrit Kalaja, shteti shqiptar ka rënë.
“Kjo ngjarje është një sirenë alarmi për situatën e sigurisë në sallat e gjyqeve, ndaj njerëzve të drejtësisë në veçanti por edhe për nivelin alarmantë të situatës së krimit në Shqipëri. Me këtë ngjarje të ndodhur në institucionin e drejtësisë shteti ka rënë”, shkruan ai.
Gjin Gjoni thotë se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja nuk është vetëm një tragjedi personale për familjen Kalaja, por pasqyrë e thellë e dështimit të institucioneve në mbrojtjen e punonjësve të drejtësisë.
“Astrit Kalaja ishte një familjar e qytetar model si dhe një gjyqtar me integritet të lartë, që i shërbeu ligjit me ndershmëri e përkushtim”, shkruan Gjin Gjoni, duke apeluar tashmë si ligjvënës në Kuvend, që qeveria të marrë masa konkrete për sigurinë e njerëzve të drejtësisë, sepse çdo sulm ndaj tyre është një sulm ndaj shtetit dhe ligjit.

Reagimi i deputetit Gjin Gjoni
Mirëpo, një reagim të ashpër për këtë reagim të deputetit dhe ish-gjyqtarit Gjin Gjoni, e ka bërë në rrjetet sociale dhe aktori shumë i dashur i kinematografisë shqiptare, Astrit Çerma. Nga Amerika ku jeton prej vitit 1997 kur u largua me familjen nga Shqipëria, “Komisar Gjoleka” thotë se shteti ka rënë pikërisht se nuk e futi Gjin Gjonin në burg por e bëri deputet.
“Shteti ka ra që në momentin që një shkërdhatë si ti nuk u fut në burg por u bë deputet. Shtetin nuk ekziston, sepse po te ekzistonte ti me kohe do ishe ne burg bashke me kryetarin tend sa-le dhe gjithe llumi juaj 35 vjeçar i postdiktatures që vendosën ligjet për grabitësit dhe hajdutët si ftyra jote…”, shkruan aktori Astrit Çerma.

Reagimi i aktorit Astrit Çerma
Si gjyqtari, Gjin Gjoni ishte një figurë kontraverse e sistemit të drejtësisë. Në vitin 2014, ai u akuzua nga kryeministri Edi Rama si “fenomenal”, duke iu referuar problemeve të sistemit të drejtësisë. “Po e them copë, sepse jam ndier i tmerruar kur kam përballë zyrtarët më të lartë të vendeve të tjera që e përmendin si emër?”, tha Rama duke pretenduar se Gjoni i ishte përmendur në tavolinë nga disa kancelari të huaja.
Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha e ka mbrojtur haptazi Gjonin. Gjatë një seance parlamentare në replikë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, Berisha tha se ata që akuzonin Gjonin duhej të “lajnë gojën” përpara se të flasin, sepse ai ka pasur kurajën të përballet me drejtësinë.
Gjin Gjoni u shortua për t’iu nënshtruar procesit të vetingut në vitin 2018, ndërkohë që në tetor të të njëjtit vit ai mori leje prindërore 2-vjeçare nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Kur afati i lejses përfundoi, Gjin Gjoni i paraqiti Këshillit të Lartë Gjyqësor dorëheqjen, duke iu shmangur procesit të vetingut.









