Mbledhja e Komisionit të Ligjeve ku raportoi edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, nuk kaloi pa debate, ku deputetët e opozitës bënë një numër të madh pyetjesh në lidhje me çështjet e dosjeve të bujshme, por edhe rreth situatës politike dhe të rendit.
Tensione pati në momentin kur po bënte pyetjet deputeti Gent Srazimiri, i cili shprehu rezervat e tij ndaj punës së SPAK për disa nga çështjet, siç ishte Task Forca e krimit zgjedhor, goditja e krimit të organizuar të lidhur me zgjedhjet, operacionin e vonuar “Ura” dhe më gjerë.
Strazimiri denoncoi edhe gjyqtaren Irena Gjoka, emri i të cilës sipas tij del edhe në dosjen e operacionit “Ura” për masat arrestit, aksion që u bë vetëm pas 11 majit.
“Irena Gjoka ka gënjyer për faktin se është dënuar që në 1996, por më vjen mirë që po hetoni, dhe pse për rastet e tjera hetoni më shpejt. Ajo ka gënjyer. Ju refuzoni të thoni se Task Forca për hetimin e zgjedhjeve ka dështuar. Edhe për operacionin “Ura” dhanë disa data këtu. Por ka rezultuar se blerja e votës është kthyer në sistem, është përfshirë krimi i organizuar aty. Ne dalim denoncojmë, ju i keni me prova. U bë Task Forca, u harxhuan gjithë ato para dhe përsëri krimi i organizuar e mbushi kutinë aq sa deshi. Ky nuk është sukses i pjesshëm. Edhe për operacionin Ura, Irena e ka pasur prej marsit dosjen, ëshë menduar deri në fund të prillit. Ose rasti bandës së Shkodrës, i denoncuar nga ne, edhe ju i keni parë se si dilnin me makina të blinduara dhe bënin presion ndaj njerëzve”, u shpreh deputeti.
Më tej ai hodhi dyshime ndaj SPAK për mënyrën se si i heton çështjet, shpesh duke kaluar edhe përgjegjësitë, duke nënkuptuar se prokurorët prezent nuk ishin të sinqertë.
“Nëse ju do ishit ulur këtu de unë aty te ju, a s’do mendonit se ky s’po thotë të vërtetën? Faktet janë publike, a nuk arrini në konkluzionin ju se ky njeri s’është i sinqertë, duke thënë fajin e ka Policia dhe jo ne, a do arrinit ju në këtë konkluzion?”, pyeti ligjvënësi i PD.
Dumani u përgjigj se SPAK kishte kryer hetimet e duhura për krimin zgjedhor, për të gjitha rastet e referuara, edhe duke rrezikua prokurorët.
“Për krimin zgjedhor e dhashë një përgjigje edhe zotit Bylykbashit. SPAK ka bërë çfarë ka qenë e mundur për hetimin e krimit zgjedhor, rastet janë konkrete. Kemi verifikuar dhe hetuar çdo pretendim, edhe në 12 të natës. Kemi bërë gjithçka, me hetuesit dhe prokurorët tanë, edhe duke i rrezikuar ata”, tha ai
Por Strazimiri vijoi të debatonte duke përsëritur pyetjen se çfarë mendonte në të vërtetë kreu i SPAK.
“Pyetja ime është kjo, e lidhur në këtë mënyrë, a do dilnit në këtë konkluzion, se po bëheshin letrat sa për të thënë, po apo jo?”
Kreu i SPAK i tha se kjo nuk ishte pyetje, por mendimi i deputetit.
“Kjo s’është pyetje, unë kam ardhur për të raportuar këtu. Ky është mendimi juaj”, u shpreh Dumani.
Por deputeti vijoi me diskursin e tij për ndjekjen e dy standardeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme, duke marrë për analogji edhe kreun e PD-së, Sali Berisha.
“Juve nuk ju bën përshtypje një njeri me armë, që të shkoni ta pyesni se ku e gjeti, nga erdhi, por nga ana tjetër shkoni dhe arrestoni liderin e opozitës! Nuk kam nevojë as për përgjigje”, tha Strazimiri mes të tjerash në debat.
Në këtë moment ndërhyri kreu i Komisionit, Ulsi Manja, që edhe më parë i kishte tërhequr vëmendjen Strazimirit që të përqendrohej te pyetjet.
“Ju tërheq vëmendjen pas gjithë kësaj seance të gjatë, ne nuk jemi këtu për të thënë se kush thotë të vërtetën. Përmbahuni, sepse edhe ata janë lodh, ata dhe ne kemi qenë në punë gjithë ditën. T’i kërkojmë llogari për as sa duhet, mos e tejkaloni pas kaq orësh mbledhjeje. Zoti Dumani shumë shkurt nëse keni përgjigje për zotin Strazimiri…”, tha Manja.
Por kreu i SPAK u shpreh:
“Zoti Srazimiri nuk do përgjigje, nuk e dëshiron një përgjigje. Unë jam i vërtetë në çdo orë të jetës time. Kam qenë i vërtetë, jam dhe do jem i vërtetë. Ndihem vërtetë i fyer nga ju këtu, ndihem dhe jam i vërtetë dhe këtë kam treguar, unë bashkë me prokurorët. Ju e dini se sa patriot jam dhe e pranuat vetë. Të gjithë bashkë kemi një qëllim të vetëm për të kontribuar për të ecur përpara. Edhe këtë e dini mirë se mua dhe prokurorëve nuk na bëjnë përshtypje emrat, e kam përmendur disa herë, pavarësisht se çfarë janë, ministër a kryeministër, por vetëm provat, provat. Të tjerat nuk na bëjnë përshtypje, ju dhatë mendimet tuaja, ju thatë edhe çfarë mendoni për institucionin”.









