INCIDENTI/ Lituania mbyll përsëri aeroportin e Vilniusit – shkak balonat në hapësirën ajrore

Aeroporti i Vilniusit në Lituani u mbyll përkohësisht të enjten për shkak të disa balonave që fluturonin në afërsi të tij, tha aeroporti në një postim në Facebook, incidenti i gjashtë brenda këtij muaji.

Lituania ka thënë se balonat dërgohen nga kontrabandistë që transportojnë cigare të kontrabanduara, por fajëson gjithashtu Presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, një aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin, për mosndalimin e kësaj praktike.

“Sipas informacioneve paraprake, vendimi për të kufizuar hapësirën ajrore u mor për shkak të një balone që fluturonte në drejtim të Aeroportit të Vilniusit”, tha aeroporti të enjten.

Ndërkohë, trafiku në aeroportin e kryeqytetit u pezullua deri në orën 21:10 GMT.

Lituania ka mbyllur tashmë pikat kufitare me Bjellorusinë për shumicën e udhëtarëve deri në fund të nëntorit në përgjigje të ndërprerjeve të lëvizjeve ajrore, dhe ka deklaruar se planifikon të rrëzojë të gjitha balonat që kërcënojnë hapsirën ajrore të Lituanis.

Sakaq, Lukashenko, e quajti mbylljen e kufirit lituanez një “veprim të çmendur” dhe akuzoi Perëndimin se po zhvillonte një luftë hibride kundër Bjellorusisë dhe Rusisë, e cila po sillte një epokë të re të ndarjes me tela me gjemba.