Enea Busukja, një punonjës i Drejtorisë së Tatimeve në Shkodër, raportohet se ka mbetur i plagosur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm me tritol, mesditën e kësaj të marte në kryeqendrën e veriut.
Nuk dihet nëse ai ka qenë shënjestra apo është ndodhur gabimisht në vendin ku ka ndodhur shpërthimi. Forca të shumta policie kanë shkuar menjëherë në lagjen “Arra e madhe”, ndërkohë që i plagosuri është dërguar me urgjencë në spital.

Grupi hetimor po punon për të identifikuar autorët dhe motivet pas këtij atentati, ndërkohë që shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale në automjete dhe ambientet përreth. Pritet që me stabilizimin e gjendjes së tij shëndetësore, Enea Busukja të merret në pyetje.
Siç njofton vetë në rrjetet sociale, i plagosuri është punonjës i Drejtorisë së Hetimit Tatimor Rajoni Verior.
“Rreth orës 11:35, në lagjen “Ndoc Mazi”, në momentin që shtetasi E. B. ka ndezur automjetin e tij, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjet. Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. B., 38 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën”, njofton Policia e Shkodrës.









