EMRAT/Trafikonin nga Europa në Shqipëri vepra arti të vjedhura – kapet grupi kriminal

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë goditur një grup kriminal që merrej me trafikimin në Shqipëri të veprave arti të vjedhura në shtete të ndryshme të Europës.

Si rezultat i veprimeve hetimore, janë identifikuar tre anëtarë të grupit, prej të cilëve dy janë arrestuar, ndërsa njëri është shpallur në kërkim.

Konkretisht, policia ka vënë në pranga: Aurel Halilaj 20 vjeç, dhe Islam Gjuta 30 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Jetmir Halilaj 42 vjeç, të tre banues në Kamzë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Aurel Halilajt dhe Jetmir Halilajt (babë e bir), në Kamzë, u sekuestruan qindra objekte me vlera historike e kulturore, të cilat dyshohet se mbaheshin me qëllim shitjen e paligjshme.

Objektet e sekuestruara përfshijnë:

•31 punime druri të gdhendura me motive të ndryshme;

•3 skulptura në formë dhëmbi elefanti;

•6 piktura të autorëve të huaj;

•411 albume me pulla poste nga shtete të ndryshme të botës;

•një procesverbal origjinal francez, i vitit 1925;

•si dhe objekte të tjera me vlera artistike e historike, përfshirë një shpatë metalike, një skulpturë shqiponje, një vazo qelqi dhe një valixhe druri me punime dekorative.

Gjithashtu, gjatë operacionit janë sekuestruar dy automjete që dyshohet se janë përdorur për transportimin e veprave të artit dhe dy celularë, që po analizohen për prova të mëtejshme.

Punohet për kapjen e shtetasit Jetmir Halilaj, si dhe vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.