Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, është arrestuar mëngjesin e kësaj të enjte me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, bashkë me disa persona të tjerë, të akuzuar për tjetërsim të pronave në Gjirin e Lalëzit.
Loer Kume është stomatolog i njohur në qytetin e Durrësit dhe familja e tij drejton një klinikë private, ndërkohë që ai është i njohur dhe në fushë e letërsisë, me botim të romaneve, eseve dhe tregimeve artistike.
SPAK dhe Operacionalja rrethojnë Shijakun, prangoset vëllai i Rrumit dhe vëllai i deputetit të Partisë Socialiste
Ai u angazhua me Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 Majit, në Qarkun e Durrësit, dhe arriti të merrte mandatin e deputetit. Mirëpo, pa u bërë ende një muaj nga marrja e detyrës së lartë të përfaqësimit të qytetarëve, vëllai i tij bie në prangat e SPAK.
Loer Kume në letërsi
Në vitin 2011 me shtëpinë botuese Toena u botua libri i tij i parë, ‘LUX’. Një përmbledhje me tregime që ngjalli kureshtje dhe reaksione në rrethet e lexuesve me poezinë e fjalisë, temat e reja në letërsinë shqipe, stilin e të shkruarit dhe kontroversin për titullin si referencë ndaj okultizmit, kultit të Luciferit, pornografisë, nekrofilisë, aparatit shtypës të shtetit.
Ndërkohë, në vitin 2015 Loer Kume bashkëkrijon dhe merr pjesë në librin artistik antologjik të një grupi artistësh e poetësh të rinj të quajtur “Antologjia e poezisë dhe arteve vizuale – A Dangerous Method”.
Përmes një cikli esesh nën titullin “Sfera Shqipe” është aktiv vazhdimisht në shtypin e përditshëm në analiza të fenomeneve shoqërore të shqiptarisë, kurse në vitin 2017, me shtëpinë botuese Albas boton romanin “Histori e shkurtër e rrëmujës”.
Në qershor të vitit 2019, Loer Kume shpallet fitues i çmimit “Kadare”, në një listë me 54 konkurrentë, me dorëshkrimin përmbledhje me tregime të quajtur ‘Amygdala Mandala’, me motivacionin ‘si përfaqësuesi i një gjenerate të re shkrimtarësh i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare larg komercializmit dhe të zakonshmes në letërsi, duke sjellë kështu një përmbledhje me tregime me frymë të re në letërsinë shqipe.’
Vepra Amygdala Mandala doli në botim në korrik të 2019 nga shtëpia botuese UET Press. “Dhe pastaj ajo u bë pemë”, roman, është vepra e katërt personale e Kume, botuar ne 2024 nga shtëpia botuese Mediaprint.









