DEKLARATA/ “S’do rikandidoj më për prokuror SPAK!”- Dumani: 11 prokurorëve u mbaron mandati brenda 1 viti, jepjani mundësinë të garojnë sërish! Do krijohet boshllëk i madh

Kreu i SPAK Altin Dumani ka deklaruar te komisioni i Ligjeve, se kur t’i përfundojë mandati 9-vjeçar si prokuror i SPAK nuk do të rikandidojë sërish.

Por Dumani ngriti shqetësimin e tij që prokurorëve të SPAK t’u jepet mundësia e rikandidimit pas mandatit 9-vjeçar.

Ai theksoi se shqetësimi që ngre nuk lidhet me interesin personal, por me funksionimin e institucionit, pasi 11 prokurorëve të SPAK u mbaron mandati brenda një viti, gjë e cila do krijonte boshllëk të madh.

“Unë flas në emër të institucionit. A mund ta imagjinoni, në vitin 2028, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati brenda 1 viti. Mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet.  Vlerësoj se nuk kemi aq shumë burime njerëzore, se po të kishim s’do duhej gjithë ajo reformë, sa t’i zëvendësojmë këta prokurorë, 11 prokurorë, në një vit është e pamundur“, tha ai.

Ai shtoi se një tjetër rrezik lidhet me faktin që këta prokurorë janë përfshirë në çështje të mëdha dhe komplekse, që kërkojnë ndjekje disa-vjeçare.

Sipas kreut të SPAK, vendi dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë investuar shumë në këtë trupë të posaçme prokurorësh, jo vetëm për përgatitjen e tyre profesionale, por edhe për të garantuar pavarësinë nga ndikimi politik, ekonomik apo kriminal.

“Sa i takon mandatit të prokurorit të Posaçëm, unë kam qenë i zëshëm në këtë drejtim, s’ka të bëjë me interesin personal, në përfundim të mandatit 9-vjeçar nuk do të rikandidoj, është zgjedhje e imja, e kam bërë këtë marrëveshje që kur kam hyrë në këtë detyrë. Por, unë flas në emër të institucionit. A mund ta imagjinoni, në vitin 2028,  të paktën 11 prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati brenda 1 viti. 

Mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet. Vlerësoj se nuk kemi aq shumë burime njerëzore, se po të kishim s’do duhej gjithë ajo reformë, sa t’i zëvendësojmë këta prokurorë, 11 prokurorë, në një vit është e pamundur. E dyta është se këta prokurorë kanë çështje që i ndjekin me vite të tëra dhe në një moment të bukur, ti i thua mandati jot mbaroi, s’ke më punë me çështjen, cenohen hetimet në këtë drejtim. 

Tjetra, shteti shqiptar, BE dhe SHBA kanë investuar në këtë trupë prokurorësh për t’u rritur profesionalisht, për të krijuar imunitet ndaj politikës, biznesit e krimit të organizuar dhe megjithëse është bërë gjithë ky investimin, i thuhet prokurorit të posaçëm për shkak të mandatit, pa paragjykuar prokurorët e përgjithshëm… nuk kemi luksin që një prokuror të specializuar, të trajnuar për një kategori hetimet, ta çojmë një Prokurori të Juridiksioni të përgjithshëm dhe të fillojë të hetojë nga korrupsioni i nivelit të lartë ku ishte, të fillojë të hetojë vjedhje të thjeshta, kanosjen, shkeljet e rregullave të qarkullimi rrugor. Nuk kemi thënë rinovim mandati, por dhënieje të drejtë për të rikandiduar. ”, tha Dumani.