ARSYET/ “Kishim pesë Lamborghini, ai ua dhuronte miqve!”- Kim Kardashian tregon pse u divorcua nga Kanye West: Duhej të shpëtoja veten! Nuk ndihesha e sigurt

Kim Kardashian ka folur hapur për arsyet që e çuan të kërkonte divorc nga Kanye West, duke e përshkruar marrëdhënien e tyre si “toksike” dhe emocionalisht të paqëndrueshme

E ftuar në podcastin “Call Her Daddy”, ylli i televizionit dhe biznesmenia 44-vjeçare, tregoi se fillimisht u tërhoq nga inteligjenca e reperit, duke thënë se kishin momente të bukura bashkë. Por gjithçka ndryshoi kur Kanye, i cili ka folur publikisht për problemet e tij me shëndetin mendor, filloi të sulmonte atë dhe familjen e saj.

“Kur dikush përjeton episodin e parë, natyrshëm do të jesh mbështetës, do të përpiqesh ta ndihmosh dhe të qëndrosh pranë. Por kur ai person nuk është i gatshëm të bëjë ndryshime që do të ishin të shëndetshme dhe të dobishme, atëherë bëhet shumë e vështirë të vazhdosh në një marrëdhënie që është toksike,”shprehet Kim.

kanye-west-kim-kardashian

Ajo shtoi se fakti që kishin katër fëmijë e bëri edhe më të vështirë largimin nga martesa, dhe për një kohë qëndroi sepse besonte se Kanye do të përmirësohej.

Reperi u diagnostikua me çrregullim bipolar në vitin 2016 pas një urgjence psikiatrike, ndonëse më pas ai pretendoi se diagnoza ishte e gabuar.

“Kur kuptova se asgjë nuk po ndryshonte, e pashë si detyrë të largohesha për t’u bërë shembull për fëmijët tanë. Duhet të vendosja kufij,” tha ajo.

Kim rrëfeu gjithashtu se shëndeti i saj mendor nisi të përkeqësohej gjatë martesës.

“Duhej të shpëtoja veten për të qenë një nënë më e mirë për të gjithë. Dhe besoj se kur të rriten, do ta kuptojnë këtë,” shtoi ajo.

kim-kardashian-is-seen-at-the-2022-met-gala-celebrating-in-news-photo-1681746975

Duke folur për momentin kur kuptoi se martesa kishte marrë fund, Kim tha:“Nuk mund të pranoja dikush të fliste keq për fëmijët e mi, për gjyshen e tyre, për hallat e tyre. Nëse ndihesh kështu për familjen time, nuk mund të jemi bashkë.”

Ajo iu referua veçanërisht rastit kur Kanye zbuloi publikisht se Kim kishte menduar të bënte abort në shtatzëninë e parë, një deklaratë që e tronditi atë.

Kardashian foli edhe për pasigurinë që ndiente gjatë martesës me reperin.

“Nuk ndihesha e sigurt emocionalisht, as financiarisht. Kishim pesë Lamborghini dhe një ditë kthehesha në shtëpi dhe s’kishte mbetur asnjë. Thosha: ‘Ku janë makinat?’ dhe më thoshin se ua kishte dhuruar miqve të tij,”tregoi ajo.

“Ishte një paqëndrueshmëri ekstreme. Nuk e dije çfarë versioni të tij do të gjeje kur të zgjoheshe në mëngjes,” shtoi Kim.

kim-kardashian-2-gty-bb-230410_1681153338387_hpMain_16x9_992

Kardashian tregoi se një nga periudhat më të vështira ishte kur Kanye shpërthente publikisht në rrjete sociale, veçanërisht në Twitter, duke sulmuar familjen e saj.

“Ka qenë shumë e dhimbshme të shihja familjen time të përballej me gjithë atë negativitet. Dhe unë thosha: ‘Më falni,’ por prapë qëndroja,”kujton ajo. “Njerëzit e shihnin gjithçka. U shkëputa shumë emocionalisht. Pati momente që isha krejtësisht e heshtur, duke u përpjekur të mbaja gjithçka në kontroll.”

Pavarësisht gjithçkaje, ajo falënderoi familjen e saj që nuk e shtyu kurrë të ndahej, por i dha hapësirën për të marrë vetë vendimet.

kim-kardashian-kanye-west-vf

“E dinin që kisha shumë dashuri dhe respekt për këtë marrëdhënie dhe që do të bëja gjithçka për të funksionuar, për hir të katër fëmijëve tanë”, tha ajo.

Në fund, Kim pranoi se kishte frikë nga reagimi i publikut, duke menduar se njerëzit do ta kritikonin për faktin që po largohej nga një njeri që përjetonte krizë të shëndetit mendor.

Por theksoi se nuk e sheh përfundimin e martesës si “dështim”.

“Kaluan shumë vite, kemi katër fëmijë. Nuk është dështim është një kapitull që përfundoi”,tha ajo.

kim-kardashian-11-d85fa73f886b46ffa32e8d671e9343f4
kim-kardashian-thieryr
kim kardashian3