Bashkimi Evropian po shqyrton seriozisht mundësinë për të klasifikuar etanolin si një substancë e rrezikshme, e cila mund të rrisë rrezikun për kancer dhe komplikacione gjatë shtatzënisë, një lëvizje që mund të çojë praktikisht në ndalimin e shumë dezinfektuesve të duarve dhe detergjentëve, veçanërisht atyre që përdoren në spitale, sipas Financial Times.
Prej viteve ’90, pastruesit me bazë alkooli janë miratuar si të sigurt brenda BE-së dhe janë pjesë e listës së barnave esenciale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Megjithatë, një rekomandim i brendshëm i datës 10 tetor nga një grup pune i Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) ka përcaktuar etanolin si substancë që mund të ketë efekte kancerogjene dhe që duhet zëvendësuar në produktet e pastrimit dhe përdorimet e tjera biocide.
Komiteti i ekspertëve të ECHA-s, i cili vlerëson përbërësit aktivë të substancave biocide, do të mblidhet nga 24 deri më 27 nëntor, për të vendosur nëse etanoli duhet të klasifikohet si i dëmshëm për shëndetin e njeriut.
Më pas, rekomandimi i tyre do të shkojë në Komisionin Evropian, i cili do të marrë vendimin përfundimtar.
Sektori i kujdesit shëndetësor ka reaguar me alarm, duke paralajmëruar për pasoja serioze në praktikën mjekësore.
“Ndikimi në spitale do të jetë masiv”, deklaroi Alexandra Peters, nga Universiteti i Gjenevës dhe rrjeti Clean Hospitals. “Infeksionet spitalore vrasin më shumë njerëz në vit se sa malaria, tuberkulozi dhe SIDA së bashku”, shtoi ajo. “Higjiena e duarve, veçanërisht përmes antiseptikëve me bazë alkooli, parandalon 16 milionë infeksione në vit globalisht.”
Sipas saj, alternativat e etanolit, si izopropanoli, janë edhe më toksike, ndërsa përdorimi i shpeshtë i sapunit kërkon më shumë kohë dhe dëmton lëkurën e stafit mjekësor.
Një studim ka treguar se pa dezinfektues, infermierët do të kalonin 30 minuta nga çdo orë operacioni duke larë duart me sapun, gjë që e bën procesin praktikisht të pazbatueshëm.
Agjencia ECHA konfirmoi se ende nuk është marrë ndonjë vendim, por nëse etanoli konsiderohet kancerogjen, do të rekomandohet zëvendësimi i tij. Megjithatë, është e mundur që përdorimi të lejohet në situata ku nuk ka alternativa të tjera dhe ekspozimi vlerësohet i kontrolluar.
OBSH dhe qendrat evropiane e mbështesin përdorimin
Në maj, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) i kërkoi autoriteteve kombëtare që ta vendosin dezinfektimin me alkool si metodën parësore për higjienën e duarve.
Nëse etanoli klasifikohet si substancë toksike, kompanitë do të mund të aplikojnë për përjashtime të përkohshme, por sipas përfaqësuesve të industrisë, këto do të jenë të kufizuara në pesë vjet dhe do të shqyrtohen rast pas rasti, duke shtuar kostot dhe burokracinë.
Peters theksoi se një nga avantazhet kryesore të etanolit është që “mund të prodhohet nga pothuajse çdo lëndë organike”, gjë që e bën të pazëvendësueshëm në raste urgjente shëndetësore, siç ndodhi gjatë pandemisë COVID-19.









