VULOSET 11 MAJI/ Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e ASHM – mbetet në fuqi çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve.

Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri ka deklaruar se ky vendim nuk ishte korrekt dhe gjithashtu i shtrembëruar.

Nuri deklaron se Partia Demokratike do t’i qëndrojë bindjes dhe se do t’i shkojnë deri në fund kësaj beteje ligjore. Ndër të tjera, avokati i demokratëve shton se Kolegji Zgjedhor nuk arriti të ngrihej në nivelin e standarteve ligjore dhe se duhet të bëhet patjetër një reformë për të ndryshuar vijimsinë e këtij institucioni.

Ju e patë që nga gjithë debatet u duk mjaft qartë që vendimi i KQZ-së – vendimi i rregullatorit për renditjen e deputetëve – kishte problem, dhe vendimmarrja e Kolegjit ishte e shtrembëruar. Vendimi u mor me shumicë votash, por ka pasur gjyqtarë që kanë dalë kundër dhe kanë qenë në favor të kërkesës së PD-së. Megjithatë, me shumicë, Kolegji e ka rrëzuar, dhe ky vendim është i formës së prerë. Tashmë nuk ka mundësi të tjera teorikisht për t’u ankimuar ky rezultat.

Megjithatë, ne i qëndrojmë bindjes se këto zgjedhje kanë qenë një farsë nga fillimi deri në fund. Kolegji Zgjedhor nuk arriti të ngrihej në lartësinë e detyrës që i imponon Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta. Sot kishte shansin historik që të tregonte se ndiqte një standard ligjor por as këtë nuk e bëri dot. Shohim përdorim të ndryshëm të standardeve, çfarë minon besimin e publikut. Dyshoj fort në dobishmërinë e Kolegjit Zgjedhor. PD duhet ta shohë në të ardhmen ekzistencën e këtij institucioni, nëse do të ketë reformë zgjedhore”, u shpreh Franc Nuri, përfaqësues i PD-së.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Eridiani Salianji e konsideroi të mbyllur këtë përballje me opozitën duke deklaruar se tashmë nuk ka mbetur asgjë tjetër për tu bërë, përveçe për tu mbledhur parlamenti i ri.

Sot u zhvillua gjyqi i iniciuar nga PD, e cila ankimonte rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Në seancë u paraqitën prova nga palët, por edhe prova të kërkuara nga gjykata, të cilat u dorëzuan nga KQZ. Gjykata kreu një hetim të thelluar të gjithë procesit zgjedhor të 11 majit dhe verifikoi të gjitha rezultatet e shpallura më parë. Siç ishit të pranishëm, u rrëzua padia. Kjo do të thotë se ky është vendimi përfundimtar për zgjedhjet e 11 majit. Pas këtij vendimi, nuk mbetet gjë tjetër përveçse mbledhja e parlamentit të ri”, tha Eridiani Salianji.