VIZITA/ E Ngarkuara me Punë e SHBA takon një tjetër ministër të Ramës – Van Horn me Gogun: Thelbësore paraqitja në një front të përbashkët kundër kundërshtarëve!

Agjenda e qeverisë dhe Parlamentit shqiptar dhe diskutimi për të kuptuar fushat që përputhen me interesat amerikane ka qenë tema e takimit që e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Ambasadën e Tiranës, Nancy Van Horn, zhvilloi me ministrin e ri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu.

Ambasada e SHBA-ve konfirmoi sot me një postim në rrjetin social Facebook takimin dypalësh, ku është diskutuar për shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe mekanizmat e shqyrtimit të investimeve, që SHBA-të i konsiderojnë thelbësore.

Van Horn i ka bërë me dije Gogut se këto fusha janë me interes edhe “në paraqitjen e një fronti të përbashkët kundër kundërshtarëve”, për të mbajtur dy vendet e sigurta.

Postimi i Ambasadës së SHBA-ve:

“E ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me Ministrin e ri për Marrëdhëniet me Parlamentin Toni Gogu për të kuptuar agjendën e tij ligjvënëse dhe për të identifikuar fusha që përputhen me interesat e Shteteve të Bashkuara. Ata diskutuan shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe mekanizmat e shqyrtimit të investimeve, të cilat SHBA i konsideron thelbësore në paraqitjen e një fronti të përbashkët kundër kundërshtarëve tanë dhe për të mbajtur vendet tona të sigurta”.