Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së demokratëve brenda ambienteve të selisë blu.
Gjatë fjalës së tij Bardhi ka bërë me dije dhe vendimet e marra nga opozita përgjatë kësaj mbledhje ku një prej tyre ka qenë nisja e një mocioni për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, i cili sipas tyre komandohet nga kryeministri Edi Rama.
Gjithashtu, një tjetër vendim i marrë në selinë blu ishte kërkesa për presidentin e vendit, Bajram Begajt, të cilit do t’i kërkojnë të mos thërrasë për betim anëtarët e kabinetit të ri qeveritar, pasi sipas Bardhit votimi i sotëm në seancën plenare ishte antikushtetues.
“I bëjmë thirrje presidentit që të marrë të gjithë të konstatojë që votimi është antikushtetues sepse është kryer jashtë rregullave të caktuara dhe të mos thërrasë për betim anëtarët propozuar të këshillit të ministrave pa pasur një një procedurë siç dhe kushtetuta e parashikon”, tha Bardhi, teksa më tej vuri theksin te seanca e kësaj të enjte dhe prezantimi i “Diellës”, ministres me AI të kabinetit Rama. Sipas Bardhit prezantimi i saj ishte “qesharak” dhe “argëtues”.
“Dhe brenda rregullova të etikës ka qenë show i propagandës së kryeministrit me video me kartona dhe me lodra a thua se sa. I shtetit shqiptar dhe rregullat e zhvillimit të seancës plenare janë të detyrueshme për tu zbatuar nga cilido dhe pasi opozita ka kundërshtuar atë që po ndodh me prezantimin i videove argëtuese, ai mund të argëtohet në darke me Lindën duke parë video por në sallë duhet të sillet brenda rregullave, të prezantonte programin politik, përbërjen e anëtarëve të kabinetit, dhe ne ishim përgatitur që të përgatisnim debat politik.
Ai ishte një skenar. Ai nuk do ti mbyllë kurrë gojën opozitës në kuvendin e Shqipërisë dhe do duhet të prezantonte kushtetutën e një seance që rendin e ditës e ka të paracaktuar nga Kushtetuta. Siç ju e patë gjatë fjalës së Ramës, një kukull e komanduar kryetari i kuvendit i dha dy herë fjalën kryetarit të grupit parlamentar të PS ndërkohë që sipas rregullores për çdo propozim ka të drejtën e fjalës një folës pro dhe një kundër. Ne kemi kërkuar dy herë fjalën për të shprehur propozimin dhe na është mohuar e drejta e fjalës”, tha Bardhi.









