TAKIMI I PAZAKONTE/ Britania pritet të njohë shtetin e Palestinës në OKB – presidenti izraelit njofton vizitë në Londër. 

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, do të vizitojë Londrën të enjten e ardhshme, vetëm pak javë përpara se Mbretëria e Bashkuar të pritet të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, raporton “The Guardian”.

Sipas dy burimeve të sigurta, Herzog pritet të takohet me ministra britanikë dhe figura të larta politike, një vizitë që shënon herën e parë që një lider i nivelit të lartë izraelit shkel në Britani që prej pranverës, kur sekretari i jashtëm britanik, David Lammy, zhvilloi një takim të papritur me homologun izraelit Gideon Sa’ar.

Megjithatë, një takim mes Herzog dhe kryeministrit britanik Keir Starmer mund të shkaktojë shumë polemika brenda radhëve të Partisë Laburiste, për shkak të vdekjes, shkatërrimit dhe urisë së shkaktuar nga lufta e Izraelit në Gaza. Zyra e Kryeministrit në Nr. 10 nuk e ka konfirmuar ende një takim mes dy liderëve.

Më herët, Downing Street ka sinjalizuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të përballet me arrestim nëse viziton Britaninë, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime të dyshuara lufte në Gaza.

Ndryshe nga Netanyahu, Herzog vjen nga një parti tjetër politike dhe ka një rol më ceremonial. Ai ka pasur përplasje me Netanyahun në të kaluarën për çështje të reformave demokratike dhe gjyqësore, por në përgjithësi ka mbështetur ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza.

Deklarata e Herzog për Gazën ka ngjallur kritika të shumta, veçanërisht ajo e dhënë në tetor 2023, ku ai deklaroi se “e gjithë kombësia palestineze në Gaza është, pa dyshim, përgjegjëse për sulmin e Hamasit më 7 tetor”.

“E gjithë kombësia palestineze atje është përgjegjëse. Nuk është e vërtetë ajo retorikë për civilët që nuk ishin në dijeni, apo që nuk ishin të përfshirë,” ishte shprehur ai.

Kjo deklaratë u përfshi edhe në urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 26 janar 2024, ku u deklarua se është “e besueshme” që Izraeli mund të ketë kryer akte që bien ndesh me Konventën për Gjenocidin. Gjykata urdhëroi që Izraeli të ndalojë menjëherë çdo veprim që shkel Konventën dhe të mbrojë popullsinë e Gazës nga rreziku i mëtejshëm i gjenocidit.

Herzog pretendon se deklarata e tij është keqinterpretuar nga Gjykata dhe se është cituar në mënyrë të pjesshme.

Keir Starmer është takuar për herë të fundit me Herzog më shumë se një vit më parë në Paris, menjëherë pas zgjedhjes së tij si kryeministër, ku lavdëroi “miqësinë historike mes Izraelit dhe Mbretërisë së Bashkuar” dhe shprehu mbështetje për kthimin e pengjeve si dhe për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.

Megjithatë, që prej asaj kohe, Starmer dhe sekretari i jashtëm David Lammy janë bërë shumë më kritikë ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territor, mbi 65,000 njerëz kanë humbur jetën.

Britania ka vendosur sanksione ndaj dy ministrave ekstremistë izraelitë, ndërkohë që Starmer ka njoftuar bashkë me Francën se planifikojnë të njohin shtetin e Palestinës në shtator.

Pavarësisht kësaj, brenda Partisë Laburiste dhe më gjerë ekziston pakënaqësi e thellë për atë që konsiderohet si mungesë veprimi të fortë nga Britania për të ndalur vuajtjet e palestinezëve.

Javën e kaluar, kreu i Liberal Demokratëve, Ed Davey, njoftoi se do të bojkotojë një darkë shtetërore të organizuar nga Mbreti Charles gjatë vizitës së Presidentit amerikan Donald Trump në Britani, si formë proteste për mungesën e presionit amerikan mbi Izraelin për t’i dhënë fund luftës.