SULMI MBI DREJTESINE/ U sulmua për ndërtimet në Theth – ILD hedh poshtë pretendimet e Edi Ramës ndaj prokurores Elsa Gjeli: Nuk gjetëm asnjë shkelje! Ka zbatuar detyrën (SHKRESA)

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar verifikimet për prokuroren Elsa Gjeli dhe thotë se nuk ka gjetur asnjë element juridik apo faktik, si indicie për hetim disiplinor, ndaj në këto kushte kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë është arkivuar.

Ka qenë kryeministri Edi Rama ai që e sulmoi publikisht prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, menjëherë pas nisjes së aksionit të lirimit të hapësirave publike në Theth, duke kërkuar nga ministri Ulsi Manja që të bënte ankesë për Gjelin në ILD.

Mirëpo, verifikimi ka përfunduar dhe institucioni i drejtuar nga Artur Metani ka dalë në përfundimin se prokurorja Elsa Gjeli ka zbatuar detyrën dhe nuk ka kryer asnjë shkelje, ndaj për të nuk ka si të nisë hetim disiplinor.

“… nuk konstatohen paraprakisht elementë juridikë apo faktikë të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates znj. Elsa Gjeli me detyrë prokurore në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Për këtë arsye, është vendosur arkivimi pas verifikimit të ankesës tuaj, bazuar në nenin 122, pika 4 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, thuhet në njoftimin e institucionit që kontrollon punën e gjyqësorit.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë ka të drejtë të ankimojë këtë vendim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, brenda 1 (një) jave nga data e marrjes së vendimit të arsyetuar.

Edi Rama e sulmoi për ndërtimet në Theth, ILD përfundon

Elsa Gjeli, prokurorja e Shkodrës që është sulmuar publikisht me emër dhe mbiemër nga kryeministri i vendit, një vit më parë ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe është emëruar si magjistrate e re në kryeqendrën e veriut.

Pas tre vitesh si studente në Magjistraturë, nga 2021 deri ne 2024, Elsa Gjeli është emëruar Prokurore në Prokurorinë e Shkodrës më datë 25 Korrik 2024. Për dy javë, ajo do të bëjë vitin në detyrën e rëndësishme, ku përfaqëson akuzën zyrtare të shtetit në gjykatë.

Edi Rama e sulmoi për ndërtimet në Theth, ILD përfundon

Siç ka raportuar më herët newsbomb.al, më 25 Korrik 2024 prokurorja Elsa Gjeli ka marrë zyrtarisht detyrën nga Qeveria e Prokurorëve apo ndryshe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me firmë të kryetares Mirela Bogdani dhe tetë anëtarëve.