REVOLTOHET ASHM/ Votimi pa debat i Kabinetit dhe programit qeverisës – reagon Berisha: Rama me skenar të përgatitur, duhet të veprojmë! 

Pas kaosit në kuvend, Sali Berisha mblodhi grupin e PD në seli, ku akuzoi kryeministrin Rama se kishte ardhur me skenar për të ndërprerë seancën.

“Sot në Kuvend ishte një skenar i përgatitur. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një program qeverie të kalojë për 5 minuta, siç ndodhi sot. Kjo është dhunë brutale ndaj popullit shqiptar. Ky është dhe akt brutal ndaj opozitës. Duhet të veprojmë.

Kryeministri Edi Rama, me aktin e tij, asgjësoi votat e atyre që morën në votim, shpalli luftë të hapur me një skenar të përgatitur bashkë me kreun e parlamentit, që është një individ skllav i krimit dhe i korrupsionit të vet dhe tregoi që është i aftë të zbatojë çdo skenar që vjen nga Edi Rama dhe banda e tij”, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Ndaj të nderuar deputetë, ne duhet të kalojmë në veprime, veprime dhe vetëm veprime. Ai nuk humbi kohë ndaj nesh, ai tregoi fytyrën e tij, ne do tregojmë betejën tonë për të drejtën, për Kushtetutën, për parlamentin, për qytetarin.

Kjo mbledhje sigurisht që është emergjente, e jashtëzakonshme sepse situata është e jashtëzakonshme. Asnjëri nga ne, asnjë shqiptar nuk do përfytyronte se ky bastard i xhelatëve komunistë, mund të sillej ndaj Kushtetutës dhe parlamentit në këtë mënyrë.

Kështu që unë u ftoj ju të diskutojmë, të vendosim bashkërisht për përgjigjen që do t’i japim këtij akti të pashembullt. Këtij akti që tejkalon edhe imagjinatën më të sëmurë, përveç imagjinatës së tij, i cili këtë e kishte të përgatitur, sepse e paralajmëroi disa herë që do votojmë po nuk dëgjuat Diellën.

Këtu kemi të bëjmë me një kompleks, me një konglomerat. Në bashkëfajësi të plotë me të është presidenti i Republikës që i dha levën për këtë qëllim.

Droga është kryefjala e këtij regjimi në çdo anë, por ne duhet të marrim vendimet tona. Ne jemi para një fakti të paprecedent dhe ne duhet t’i përgjigjemi me çdo kusht në mënyrën më të fuqishme, me veprime, këtij akti të sotëm.