PROPOZIMI/ Rusia tërhiqet nga Konventa Evropiane kundër torturës – ky hap do hiqte mundësinë e monitorimit të gjendjes në burgjet ruse dhe trajtimin e të burgosurve.

Rusia planifikon të tërhiqet zyrtarisht nga konventa evropiane kundër torturës. Presidenti Vladimir Putin ka paraqitur një projektligj  lidhur me këtë në parlamentin rus, raportoi sot  agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Tërheqja nga konventa do të hiqte mundësinë e fundit që komiteti kundër torturës i Këshillit të Evropës (CPT) të monitorojë gjendjen në burgjet ruse dhe trajtimin e të burgosurve.

Edhe pse Rusia ka qenë anëtare e konventës që nga viti 1997, aktivistët e të drejtave civile kanë denoncuar gjithmonë se torturat dhe trajtimet çnjerëzore janë të përhapura në stacionet e policisë dhe qendrat e paraburgimit në Rusi.

Pothuajse të gjithë të burgosurit ukrainas të luftës që janë shkëmbyer kanë raportuar gjithashtu se janë torturuar në Rusi.

Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës e vitit 1987 është një traktat i Këshillit të Evropës, organizata më e madhe ndërqeveritare për të drejtat e njeriut në Evropë.

Rusia u përjashtua nga Këshilli i Evropës në vitin 2022 për shkak të luftës së agresionit kundër Ukrainës. Moska e justifikon tërheqjen nga konventa kundër torturës duke thënë se nuk mund të marrë më pjesë në komitetin kundër torturës.