E Ngarkuara me Punë e SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn ka organizuar një pritje zyrtare në mjediset e Ambasadës te “Rruga e Elbasanit”, në Ditën e Kushtetutës së vendit të saj. Bie në sy se të ftuar kanë qenë përfaqësuesit më të lartë të drejtësisë shqiptare, politikanë dhe anëtarë të shoqërisë civile.
“Kushtetutat ndërtohen mbi parime thelbësore për një demokraci funksionale: mbrojtja e të drejtave individuale, ndarja e pushteteve, liria e fjalës dhe sundimi i ligjit. Këto parime nuk janë thjesht ideale abstrakte; ato janë themeli i besimit midis qeverive dhe popujve të tyre”, është shprehur Nancy VanHorn.
Nga fotografitë që publikon selia diplomatike në Tiranë, bien në sy pothuajse të gjithë prokurorët e posaçëm, anëtarë të Gjykatës së Posaçme, politikanë përfaqësues të Partisë Socialiste, drejtues institucionesh dhe gazetarë.
Ndërkohë për të disatën herë në vijimësi mungojnë në pritjet zyrtare dy politikanët që dominojnë sot politikën shqiptare: Edi Rama e Sali Berisha.
Ky në fakt mund të interpretohet një mesazh diplomatik për të dy emrat e sipërpërmendur.
E Ngarkuara me Punë e SHBA ka qenë e drejtpërdrejtë në mesazhin e saj, duke theksuar se gjyqtarët, prokurorët, anëtarët e shoqërisë civile dhe një shtyp i lirë janë rojtarët e të drejtave të çdo qytetari shqiptar.
“Ju keni fuqinë të siguroni që drejtësia të mos jetë thjesht një fjalë, por një realitet për të gjithë shqiptarët. Keni përgjegjësinë të mbroni drejtësinë, transparencën dhe llogaridhënien. Dhe keni mundësinë të forconi besimin midis njerëzve dhe institucioneve që i shërbejnë atyre.
Kjo punë kërkon guxim – guximin për të marrë vendime të vështira, për të rezistuar ndaj korrupsionit dhe për të qëndruar të palëkundur përballë trysnisë. Ndërsa vazhdoni punën tuaj jetike, mos harroni se një kushtetutë është më shumë se një dokument ligjor”, është shprehur diplomatja Nancy VanHorn.




























