Zyrtarët e kryeqytetit amerikan kanë paditur administratën e Donald Trump, duke e akuzuar ish-presidentin se ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin federal me dërgimin e mijëra trupave të Gardës Kombëtare në Uashington pa pëlqimin e autoriteteve lokale.
Padia, e depozituar nga Prokurori i Përgjithshëm i DC, Brian Schwalb, thotë se trupat, shumica nga shtete të tjera, janë autorizuar nga Shërbimi i Marshalëve të SHBA dhe po patrullojnë lagje, kryejnë kontrolle dhe arrestime, pavarësisht se ligjet federale e ndalojnë ushtrinë të veprojë si polici vendore.
“Dërgimi i Gardës Kombëtare për t’u angazhuar në detyra policore jo vetëm që është i panevojshëm dhe i padëshiruar, por është i rrezikshëm dhe i dëmshëm për Distriktin dhe banorët e tij,” tha Schwalb. “Sot është Uashingtoni, nesër mund të jetë çdo qytet tjetër.”
Trump njoftoi vendosjen e trupave më 11 gusht, si pjesë e një agjende kundër krimit. Aktualisht, mbi 2,200 trupa janë të vendosur në qytet, 1,340 prej të cilëve nga shtete të tjera, dhe po mbajnë armë gjatë patrullimeve.
Administrata ka pretenduar se vendosja e tyre ka sjellë ulje të ndjeshme të krimit të dhunshëm në kryeqytet, por kritikët, përfshirë kryebashkiaken Muriel Bowser, e quajnë të panevojshme dhe me kosto të lartë, rreth 1 milion dollarë në ditë nga taksapaguesit.
Padia thekson se “asnjë juridiksion amerikan nuk duhet të jetë i detyruar të pranojë një pushtim ushtarak”, ndërsa qyteti kërkon që gjykata federale të ndalojë tejkalimin e kompetencave nga Shtëpia e Bardhë dhe të ruajë sovranitetin e DC.
Ky zhvillim vjen pasi një gjykatës federal në Kaliforni vendosi këtë javë kundër administratës Trump, duke konstatuar se përdorimi i ushtrisë në Los Anxhelos për detyra policore ka shkelur ligjin federal.
Ndërkohë, Trump ka paralajmëruar plane për të dërguar Gardën Kombëtare edhe në Çikago, pjesë e një fushate më të gjerë për rritjen e rolit federal në qytetet e drejtuara nga demokratët









