Një zhvillim i madh diplomatik pritet të ndodhë të dielën (21 shtator), kur kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, do të njoftojë njohjen zyrtare të shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar.
Lajmi është raportuar nga prestigjiozja The Times, sipas së cilës vendimi i qeverisë britanike do të shoqërohet edhe me një dënim të ashpër ndaj operacionit tokësor të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.
Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, e ka përshkruar ndërhyrjen ushtarake të Izraelit si “të pamatur dhe të papranueshme”, ndërsa Starmer pritet të deklarojë se kjo ofensivë nuk i lë Britanisë “asnjë alternativë tjetër” përveçse të ecë përpara me njohjen e Palestinës si shtet të pavarur, shkruan Reuters.
Vendimi i Londrës pritet të shkaktojë tensione me aleatët e saj më të ngushtë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Presidenti amerikan Donald Trump, ka paralajmëruar se një akt i tillë “do të shihej si shpërblim për mizoritë e Hamasit”.
Duke folur të enjten nga Chequers, Trump tha se kjo ishte një nga “pak pikat e mosmarrëveshjes” që kishte me kryeministrin Starmer.
Në reagimin e tij, Starmer theksoi se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës, duke shtuar se vendimi i Britanisë nuk minimizon në asnjë mënyrë tmerrin e sulmeve të 7 tetorit në Izrael.
Politika e re britanike do të shpallet zyrtarisht javën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga nënpresidenti David Lamy.
Sipas burimeve diplomatike, Franca, Kanadaja dhe Australia janë gjithashtu në përgatitje për të njohur shtetin palestinez, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin ndërkombëtar ndaj konfliktit izraelito-palestinez.









