Një nga marrëveshjet më të çuditshme të merkatos së verës është finalizuar vetëm në minutat e fundit pranë mbylljes së dritares në Angli. Nikolas Xhekson, sulmuesi i Çelsit, ka kaluar më në fund në huazim me detyrim blerje te Bajern Mynih.
Sulmuesi dy ditë më parë kishte udhëtuar drejt Gjermanisë për marrëveshjen me bavarezët. Por gjatë rrugës, klubi e kishte njoftuar të kthehej pasi ishte dëmtuar sulmuesi Delap dhe kësisoj nuk do të kishte transferim për të në pjesën e parë të sezonit. Xhekson insistoi dhe qëndroi edhe një ditë më shumë në Gjermani, por mbrëmë në darkë iu komunikua se nuk do të kishte marrëveshje mes palëve dhe transferimi nuk do kryhej.
Gjithçka ndryshoi në orët e fundit të merkatos gjatë ditës së sotme, kur Bajerni përmirësoi parametrat financiarë që i ofronte Çelsit, teksa futbollisti po bëhej gati të kthehej në Angli. Vetëm në orën e fundit është firmosur transferimi i tij për të cilin fillimisht Bajerni do të paguajë 16,4 milionë euro vetëm për huazimin në këtë sezon.
Në mbyllje të tij, klubi do të jetë i detyruar ta blejë sulmuesin për 65 milionë euro. Një shifër shumë e lartë po të mendosh se Xhekson nuk vlerësohet mes golashënuesve më të mirë në qarkullim, por që ka mjaftuar për të bindur Çelsin që ta lërë të largohet.









