Liverpooli mbylli një nga merkatot më të bujshme të historisë së tij, duke u bërë skuadra që shpenzoi më shumë në këtë verë, gati 500 milionë euro. Pas triumfit në Premier League, drejtuesit vendosën të investonin fuqishëm për të konsoliduar suksesin në Angli dhe për të synuar trofeun më të madh: Champions League.
Emra si Alexander Isak, Florian Wirtz, Hugo Ekitiké, Milos Kerkez, Jeremie Frimpong dhe Leoni i janë bashkuar ekipit të Arne Slot, duke e kthyer Anfield-in në një qendër të futbollit elitar. Faqja kryesore e këtij revolucioni është blerja rekord e suedezit Isak, që shihet si sulmuesi i së ardhmes së “The Reds”.
Legjenda e klubit, Jamie Carragher, nuk e fshehu entuziazmin për këtë projekt të ri: “Anfield tani të kujton epokën e viteve ’70 dhe ’80, kur Liverpool ishte ekipi më tërheqës dhe më i zgjuar në Evropë. Me ardhjen e Isak, transformimi i Liverpoolit në ‘galaktikët’ e Premier League është i plotë”.
Carragher shkoi edhe më tej në krahasimet e tij, duke vendosur Liverpool-in krah për krah me klubet më të mëdha të shekullit XXI: “Ky është një Liverpool që sillet si Real Madrid i Florentino Pérezit, Barcelona në kulmin e saj, Manchester United i Fergusonit apo Chelsea dhe Manchester City në ditët e para pas blerjeve nga Abramovich e Abu Dhabi”.
Megjithatë, mbeten edhe pikëpyetje. Carragher theksoi se disa lojtarë mund të mos kenë qenë në dijeni të planeve madhore të klubit, siç ndoshta ndodhi me Trent Alexander-Arnold. Në të njëjtën kohë, Mohamed Salah ka konfirmuar se trajneri Slot i kishte shpjeguar vizionin për këtë projekt të madh. Me këto përforcime, Liverpool duket gati jo vetëm për të mbrojtur fronin në Angli, por edhe për të rikthyer lavdinë në Evropë.









