Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u takua dje me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Gonzato theksoi në një postim në rrjetet sociale se, Bashkimi Evropian shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Drejtësisë për të forcuar më tej institucionet e drejtësisë, për të ofruar ekspertizë dhe për të nxitur llogaridhënien dhe efikasitetin.
Ambasadori vuri në dukje se Shqipëria pritet të ndryshojë disa dispozita të Kodit Penal për t’i përafruar ato me standardet evropiane dhe me legjislacionin e BE-së, duke i dhënë përparësi ndryshimeve që nevojiten për përmbushjen e kritereve të ndërmjetme pjesë e Grupkapitullit të parë.
Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të reformës në drejtësi të vitit 2016, në përputhje me arkitekturën e saj aktuale, si dhe arritjen e një ekuilibri të drejtë midis pavarësisë dhe llogaridhënies.









