Qeveria e re do të prezantohet nesër në Asamblenë e Partisë Socialiste. Gjithashtu, kryeministri Rama do të bëjë publik edhe programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme.
Kryeministri Edi Rama do të prezantojë nesër qeverinë e re të mandatit të katërt.
Në orën 09:30 do të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, ku ndryshe nga raportimi i parë që u raportua te Xibraku, kryesocialisti ka zgjedhur hollin e Pallatit të Kongreseve.
Fjalën hapëse do ta mbajë sekretari i përgjithshëm, Blendi Klosi, dhe më pas pjesa më e rëndësishme e punimeve të Asamblesë do të jetë fjala e kryeministrit Edi Rama.
Kreu i qeverisë, fillimisht, do të prezantojë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe më pas do të paraqesë kabinetin e ri me të cilin do të qeverisë vendin.
Organizatorët po bëjnë përgatitjet e fundit që gjithçka të jetë gati të enjten, më 11 shtator, për të prezantuar qeverinë e re.
Një ditë pas prezantimit të qeverisë, të premten, në dy seanca të ndara do të mblidhet parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, ku do të betohen 140 deputetët, si edhe do të zgjidhet kryetari i Kuvendit.









