Gjermania nuk e sheh të nevojshme të ashpërsojë sanksionet ndaj Izraelit pas vendosjes së një embargoje të pjesshme për armët muajin e kaluar, tha sot ministri i Jashtëm Johann Wadephul.
Berlini ka refuzuar me vendosmëri t’u bashkohet partnerëve evropianë në zotimin për të njohur një shtet palestinez, ndërsa shumë vende, përfshirë Kanadanë dhe Francën, kanë njoftuar plane për ta bërë këtë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë muaj.
“Ne kemi ndalur dërgimin e armëve në Izrael që mund të përdoren në luftën e Gazës”, tha Wadephul për portalin “t-online”.
Ai tha se ky veprim përfaqëson një “sinjal të qartë” për Izraelin, duke argumentuar se lëvizja arriti më shumë sesa “deklaratat e thjeshta” të vendeve të tjera. “Unë e konsideroj këtë vendim të mjaftueshëm në këtë moment”, shtoi ai.
Embargoja e pjesshme për eksportin e armëve gjermane në Izrael u njoftua nga kancelari Friedrich Merz në fillim të gushtit.
Ai e quajti vendimin një përgjigje ndaj planeve të Izraelit për të zgjeruar operacionet ushtarake me qëllim marrjen e plotë të kontrollit mbi qytetin e Gazës.
Wadephul tha se Gjermania po vazhdon të monitorojë zhvillimet në Gaza. “Ne po e ndjekim situatën nga afër dhe jemi në bisedime me partnerët tanë evropianë”.









