Erion Veliaj është shkarkuar nga posti i kryetarit të bashkisë së Tiranës. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe vjen pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama të bërë në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku shpalli si kandidaturë Ogerta Manastirliu.
Tashmë i takon Këshillit të Ministrave që të miratojë vendimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino tha se sot po bëhet detyra për ta çliruar Tiranën, nga ndalimi, siç tha ajo pa gjyq i Erion Veliajt.
“Sot ne po kryejmë detyrimin tonë, duke çliruar Tiranën prej ndalimit pa gjyq të kryetarit të bashkisë. Ne sot kemi vetëm një pikë në rendin e ditës, projektvendimim për shkarkimin kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj…”, tha kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino.
Në mbledhje ku u votua për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj nuk morën pjesë tre anëtarë, Joleza Koka, Aldo Merkoçi dhe Gazment Paja. Po ashtu mungonte edhe kryetarja në detyrë Anuela Ristani.
Erion Veliaj, tashmë i shkarkuar nga Këshilli Bashkiak nuk ishte i pranishëm në mbledhje, siç kishte kërkuar edhe vetë ai që të dëgjohej.
Komisioni i Ligjeve të Këshillit Bashkiak Tiranë më herët gjatë ditës së sotme vendosi që Erion Veliaj të mos ishte i pranishëm në mbledhje, teksa më vonë, Sekretari i Këshillit Bashkiak, përmes një letre drejtuar Veliajt, pak para mbledhjes, tha se nuk ka vendim që e ndalonte të merrte pjesë.
Pavarësisht shkarkimit, sipas nenit 115 të Kushtetutës, Veliajt i jepet e drejta të ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh. Në këtë rast, vendimi i qeverisë pezullohet deri në shqyrtimin nga Gjykata









