KANDIDATI I OPOZITES/ Përballë Manastirliut për Bashkinë e Tiranës? Pas Ilir Alimehmetit edhe Tabaku e thotë troç vendimin e saj…

Tashmë është fakt që Ogerta Manastirliu do të jetë një nga kandidatet për të marrë drejtimin e Bashkisë Tiranë pasi Kryeministri Edi Rama e tha më zë të lartë emrin e saj në Asamblenë e PS, ndërsa nga kampi opozitar situata është paksa e paqartë dhe jo konkrete.

Sa i përket opozitës së Sali Berishës, duket qartë që është kapur gafil nga vendimi për ta futur Tiranën në zgjedhje. Dy nga njerëzit më potentë të PD në kryeqytet janë Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku.

Ashtu sikurse një ditë më parë Alimehmeti e ka konsideruar të paplotë kohën në dispozicion për tu përfshirë në kandidim, deputetja Jorida Tabaku është pyetur këtë mbrëmje në emisionin “A Show” nëse do të jetë një nga kandidatet e PD për Bashkinë e Tiranës dhe ajo gjithashtu e hodhi poshtë çdo mundës garimi.

Tabaku theksoi se fokusi i saj është beteja në parlament për të përfaqësuar qytetarët që e votëbesuan në zgjedhjet e 11 Majit, ndërsa nuk i kurseu kritikat edhe për mënyrën si funksionon bashkia e kryeqytetit.

“Fokusi im është në parlament. Bashkia nuk është pjesë e ambicieve të mia. Do bëj maksimumin për të përfaqësuar PD dhe qytetarët që më votuan.

Bashkia ka nevojë për ndryshimin e sistemit, jo thjesht për ndërrim kryetarësh. Kjo mënyrë sjelljeje duhet ndryshuar.”-tha Tabaku në “A Show”.